“S’njohu dot nipin dhe mbesat e tij, sepse u vra në protestën e 21 Janarit”, Balla viziton familjen e dëshmorit

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla vizitoi sot familjen e dëshmorit, Faik Myrtaj, i cili u vra në protestën e 21 Janarit 2011.

Kujtojmë se nesër bëhen plot 12 vite nga protesta e përgjakshme e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë në Bulevardin

“Dëshmorët e Kombit” katër protestues.

Balla tha sot se dosja penale për tre nga katër vrasjet dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet e mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend

Ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Tiranës që të çojnë dosjne e Aleks Nikës në SPAK.

“Në Fier, në familjen e dëshmorit Faik Myrtaj në përkujtim të shokëve tanë të 21 Janarit. Faiku një burrë i mirë e i paqtë nuk i njohu dot nipin dhe mbesat e tij, sepse ra dëshmor duke protestuar kundër regjimit të Sali Berishës 12 vite më parë. Ajo që të irriton më shumë sot pas 12 vitesh është ironia ndaj drejtësisë, ndërsa urdhëruesi i vrasjeve vazhdon të rrahë gjoksin.

Dosja penale për tre nga katër vrasjet dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet e mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend. Edhe pse u vërtetua bereta e komandantit të gardës PZ52778, vrasja e Faik Myrtajt u cilësua nga gjykatat pa autor.

E vetmja dosje e pagjykuar është dosja e dëshmorit tjetër Aleks Nika, e cila sorollatet në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, edhe pse duhet t’i kishte kaluar SPAK prej shumë kohësh tashmë. Prej disa muajsh kërkesa e familjarëve, avokatit dhe apeli im publik i përsëritur pret përgjigje. SPAK të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011”, tha Balla./albeu.com/


Shtuar 20.01.2023 19:24