Skandali me TIMS-in/ Pse i kopjoi të dhënat Drejtori i IT-së Ervin Muça

Mesnatën e 2 gushtit 2023, Ervin Muça, drejtori i sapo-emëruar i Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, hyn në zyrën ku gjendet serveri qendror i bazës së të dhënave TIMS.

Duke përdorur kodet e disa punonjësve të tjerë për të mos lënë gjurmë, Muça kopjon të dhënat e qytetarëve.

Kjo histori u raportua fillimisht nga gazetari Ferdinand Dervishi dhe eksperti i IT, Gent Progni. Autoritetet u munduan ta mohonin fillimisht.

Por, skandali doli në dritë kur përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë, Martin McDoëell shprehu shqetësimin e SHBA-ve lidhur me shkeljen në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit, gjatë një takimi me Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, në 22 gusht të vitit të kaluar.

McDowell kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre.

Disa ditë pas këtij takimi, e konkretisht në 1 shtator 2023, Agjencia e Mbikqyrjes Policore referon në Prokurorinë e Tiranës materialet për dyshime mbi kryerjen e veprës penale të “ndërhyrjes së paautorizuar në sistemet kompjuterike”.

Ndërkohë që Prokuroria po kryente hetimet, skandali mori përmasa të gjera. Opozita parlamentare, pas gjashtë muajsh betejë politike, arriti të siguronte dakordësinë e maxhorancës për ngritjen e tre komisioneve hetimore parlamentare.

Njëri prej këtyre komisioneve, i cili nisi punën javën e kaluar, ka si objekt pikërisht hetimin parlamentar për ndërhyrjet në sistemin TIMS.

Opozita beson se ndërhyrja në bazën e të dhënave është realizuar me urdhër politik, për të fshehur të dhëna për udhëtime të zyrtarëvë të lartë apo familjarë të tyre me persona me histori kriminale.

Në qendër të këtyre dyshimeve qendrojnë udhëtimet e supozuara të Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, me anëtarë të grupit kriminal që ngritën laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit, në vitin 2014.

Krahas betejës politike, Prokuroria e Tiranës po zhvillonte hetimin, bazuar në referimin e AMP-së.

Prokurorja e çështjes, Anisa Qilimi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arens Çela, kanë krijuar dyshime të forta se autori i ndërhyrjes në sistemin TIMS është drejtori i IT, Ervin Muça.

Ata i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës, e cila së fundmi ka miratuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi” për Muçën.

“Boldnews” u interesua pranë Prokurorisë së Tiranës për të mësuar nëse e kishin zbuluar arsyen e veprimeve të Ervin Muçës dhe destinacionin e të dhënave të kopjuara.

Por, për momentin, nuk mund të jepej asnjë koment, përsa kohë çështja është ende nën hetim.

Emërimi i Ervin Muçës në pozicionin e drejtorit të IT në Policinë e Shtetit u shoqërua që në krye të herës me dyshime për shkelje ligjore.

Agjencia “INA”, në një raportim hidhte më shumë dritë mbi emërimin e dyshimtë të Muçës. /Boldnews


Shtuar 9.04.2024 23:09