Skandali i “5D”/ Berisha: U rrafshuan pallate për të vjedhur 100% paratë e ndërtimit të tyre

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka folur sërish mbrëmjen e sotme nga dritarja e banesës ku qëndron i izoluar për aferën “5D” që përfshiu Bashkinë e Tiranës, ku u arrestuan disa drejtorë dhe ish-drejtorë të Veliajt. Në fjalën e tij në tubimin e përditshëm qytetar, Berisha shprehet se nga afera “5D” u rrafshuan pallate për të vjedhur paratë e ndërtimit te tyre, pasi sipas tij ndërtimi bëhej me kompani të tjera që shpërbleheshin me leje ndërtimi.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme.Përulem me nderimin më të madh para sakrificës, guximit, qëndresës tuaj misionarë të vërtetë. Të dashur miq, me guximin tuaj, mençurinë dhe dinjitetin, ju krijuat parlamentin e fjalës së lirë, të vërtetave të mëdha të shqiptarëve.Ju krijuat tribunën më të fuqishme të denoncimit të vjedhjeve të shqiptarëve në historinë e tyre. Tribunën e denoncimit të vjedhjeve të Edi Ramës, ministrave, zyrtarëve të tij si makutë të paparë, të pangopur.Krijuat tribunën e denoncimit, e aktakuzave ndaj një bande, armike e Shqipërisë dhe shqiptarëve.Një bande që ka vendosur mbi shqiptarët tiraninë e varfërisë të bazuar në vjedhjen e tyre. Miqtë e mi, prej 2 muajve çdo ditë denoncohen me fakte, dokumente vjedhja 100 përqind e taksave të shqiptarëve nga Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës.Kjo vjedhje është vërtet e pashembullt, sepse ata zgjodhën të kalojnë direkt në kontot e tyre haptas vëllezërve dhe sojit të tyre paratë e prokurimeve publike të Bashkisë së Tiranës.

Këta mafiozë të pashpirt, këta mafiozë të zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore, futën buldozerët dhe minat pas tërmetit në Tiranë. Rrafshuan pallate dhe banesa më shumë se tërmeti vetëm e vetëm për të vjedhur 100 përqind paratë e ndërtimit të tyre. Sepse ndërtimi bëhej me kompani të tjera që shpërbleheshin me leje ndërtimi.Kurse paratë e fondit merreshin nga kompanitë e tyre.Po kjo ngjarje e pashoqe kishte edhe anën tjetër. Vidhnin me inertet dhe dherat e ndërtesave të rrënuara.Ata, në dhjetëra e dhjetëra tendera rezulton se kanë vjedhur 38 milionë euro.Por kjo është maja e ajsbergut.Ndaj dhe motoja jonë është: në sulm, në sulm, në sulm!


Shtuar 8.05.2024 20:54