“Situata eshtë shumë e vështirë”, ambasadorja shqiptare tregon çfarë po ndodh në Izrael

Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, thotë se përplasja e Hamasit me shtetin izraelit ka sjellë ditë shumë të vështira dhe ngarkesë të madhe emocionale.

Në një lidhje direkte nga Tel Avivi për edicionin e lajmeve në Tv Klan, ambasadorja Kumbe shprehet se pothuajse në të gjitha misionet diplomatike, ka prevaluar misioni humanitar për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët janë gjendur në territorin e Izraelit.

Pyetje: Si është situata dhe si po ndikon kjo në punën tuaj në këto ditë të vështira për të gjithë Izraelin?

Meri Kumbe: Janë ditë të vështira, ka shumë ngarkesë emocionale, ka shumë siklete njerëzore. Përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë. Padyshim që ka shumë vështirësi sepese ambasadat në punën e tyre të përditshme janë në komunikim të vazhdueshëm më strukturat e shtetit ku ato ndodhen dhe në këto momente, kjo është një sfidë më vehte për të çuar punët përpara, por që nga dita e shtunë, pothuajse në të gjitha misionet diplomatike, ka prevaluar misioni humanitar për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët janë gjendur në territorin e Izraelit.

Ambasadorja Meri Kumbe nuk ka një shifër konkrete për numrin e shqiptarëve në Izrael, por thotë se ajo që dihet saktësisht është numri i komunitetit shqiptaro-hebre që janë rreth 630 persona.

Pyetje: A ka shqiptarë të prekur nga sulmet?

Meri Kumbe: Deri tani jo. Nuk kem pasur asnjë raportim të tillë. Kryesisht shqiptarët ndodhen në qendër të Izraelit, kurse komuniteti shqiptaro-hebre në qendër të Izraelit dhe kryesisht në veri të vendit, flas për numrat më të mëdha të komunitetit. Padyshim pastaj që ka edhe shqiptarë në Jeruzalem që jetojnë dhe punojnë aty.

Pyetje: Sa shqiptarë afërsisht ka në Izraal dhe sa prej tyre kanë dashur që të riatdhesohen në këto momente?

Meri Kumbe: Është pyetje shumë e vështirë. Ajo që dimë saktësisht është numri i komunitetit shqiptaro-hebre që janë rreth 630 persona dhe në Izrael kemi rreth 50 emigrantë. Pjesa tjetër, nxënës janë vetëm 10, ndërsa studentë deri tani kemi identifikuar 5 deri në 6 prej tyre, të cilët janë riatdhesuar. Kanë ardhur në Shqipëri. Sa i takon numrit të turistëve të cilët janë ndodhur në Izrael në momentet e sulmit dhe janë kthyer në Shqipëri, pjesa më e madhe e tyre janë kthyer dhe sot besoj janë larguar nga Izraeli. Të paktën 3 qytetarët e fundit që kemi pasur kontakt dhe i kemi asistuar në kthimin drejt Shqipërisë, pjesa tjetër ndodhen në Izrael. Komuniteti shqiptaro-hebre, deri tani, përveç komunikimeve të shpeshta që kemi pasur në aspektin njerëzor për të pyetur njëri-tjetrin si jemi, deri tani nuk ka pasur kërkesa, por një numër shumë i vogël, kryesisht të moshuar ose nëna me fëmijë të vegjël, por e kam të pamundur për t’u shprehur me shifra të sakta./tvklan.al

 


Shtuar 11.10.2023 20:31