Si e parashikoni fatin e Sali Berishës? Ilir Meta: Kjo është një çështje 1000% politike, shumë shpejt do të…

Në një prononcim për mediat nga Fieri, ku zhvilloi edhe një takim me strukturat e PL-së, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi se protesta e 20 shkurtit dha një mesazh të fuqishëm. Sipas tij përpjekjet e kryeministrit Rama për të shkatërruar pluralizmin politik janë të pashpresa.

Shumë shpejt- tha Meta- do të vendoset rendi kushtetues në vend dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e kushtetutës

Pyetje: Sot është shtyrë seanca për Berishën, si e parashikoni fatin e tij, duke qenë se jeni një aleat i ngushtë i tij?

Ilir Meta: Pak ditë më parë u mor një vendim absurd kundër zotit Beleri. Sa i takon zotit Berisha kjo është një çështje 1000% politike, e urdhëruar nga Rama, që synon izolimin e tij me shpresën për të diktuar dinamikën brenda kampit opozitar dhe për të nxitur përçarje. Por mitingu i 20 shkurtit dha një mesazh të fuqishëm dhe absolutisht përpjekjet e tij për të shkatërruar pluralizmin politik janë të pashpresa.

Shumë shpejt do të vendoset rendi kushtetues në vend dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e kushtetutës dhe nëpërkëmbjen e qytetarëve shqiptarë.

Ndërsa sa i takon votës së emigrantëve, Meta u shpreh se Rama është i tmerruar nga kjo, por theksoi se PL do të bëjë çdo përpjekje për të mundësuar votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë.

“PL ka qenë dhe është e vendosur për votimin e emigrantëve. Ai që ka tmerr është Edi Rama. Ne do bëjmë cdo përpjekje brenda mundësive tona që ata të kenë këtë mundësi, që ta japin votën e tyre aty ku janë”, tha Ilir Meta.


Shtuar 8.03.2024 19:44