Fushë-Kruja, e cilësuar si një nga zonat që jeton prej vitesh nën thundrën e terrorit të krimit, u trondit edhe njëherë nga një tjetër ngjarje e rëndë. Emisioni “Në Shënjestër” sjell këtë mbrëmje të tjera detaje.
Ngjarja, cila nuk tregoi asgjë tjetër, përveçse atë, se shteti në këtë zonë të Shqipërisë ka dështuar bindshëm përballë bandave dhe pushtetit të tyre, dhe se policia është kthyer thjesht në një organizatë të pafuqishme për të reaguar dhe goditur kriminelët, që në rastin konkret, dolën sërish se kishin mbështetje të fortë politike.
Ashtu si në videon që shpejt u bë virale, që për protagonist kryesor kishin djalin dhe dy vëllezërit, deri në atë ditë, të deputetit socialist Rrahman Rraja.
Ky i fundit, u detyrua të largohej përfundimisht nga jeta politike vetëm pasi me zë dhe figurë u dëshmua sesi familjarët e tij dhunuan barbarisht dy kushërinjtë, Bilbil dhe Jashar Rraja.
Dy kushurinjtë të cilët u rrahën mizorisht në një shfaqje publike, për të vetmin faj, sepse protestuan për të mbrojtur banesat e tyre që po shkatërroheshin nga shpërthimet e gurores që shfrytëzohej nga pjesëtarët e fisit Rraja.
Pamje të regjistruara mesditën e 6 korrikut në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, të cilat shokuan çdokënd me ashpërsinë e tyre. Më pas ato u shpërndanë me shpejtësi në çdo celular dhe media, teksat dy kushërinjtë Maja goditen me shkopa bejsbolli, dhe qyta pistolete, nga familjarët e ish- deputetit. Një ligjvënësi që deri para këtij akte dhunë ishte ulur në parlamentin e Shqipërisë.
Protestë kundër guroreve që kishte ditë që kishte ngritur në këmbë fshatin Borizanë, por që duket se nuk u pëlqeu aspak njerëzve të familjes Rraja. Këta të fundit rebelimin dhe të drejtën e banorëve për të jetuar të pashqetësuar nga plasjet pa kriter të minave.
Pluhuri që po u merrte jetën dhe banesat që po u shkatërroheshin nga dita në ditë, si pasojë e shpërthimeve.
Ata menduan ta zgjidhnin ndryshe, duke i rrahur dy organizatorët e protestës me leva dhe shkopa bejsbolli, por edhe duke i filmuar po vetë, për t’i treguar të gjithëve se kush hap gojën në vazhdim do të kishte të njëjtin fat, si njerëzit e familjes Maja.
“Janë bërë 50 gurore, po na ikën uji i pijshëm. Kemi pluhur gjatë ditës nga trajlerat gjatë ditës, pluhur nga fabrika. Vendi pa shtet. Kemi pas shumë besim tek kjo qeveri, por unë nuk e di, sështë duke vënë dorë njeri. Edhe bagëtitë nuk trajtohen në këtë mënyrë”, shprehet një nga banorët.
“Të marrë masa një minutë e më para. Mos të kalojnë kamionat. Ka thënë për 2 muaj do e ndal, këta nuk marrin vesh. Prap po të njëjtën gjë bëjnë. Këtu do ketë protestë ditë për ditë. Nëse shteti nuk merr masa për kamionat ne do braktisim shkollën. Nuk ka për të bërë mësim kush këtu se na e kanë sjellë shpirtin në majë të hundës”, thotë një tjetër banor.
Por ky filmim ndryshe nga ç’kishin menduar njerëzit e afërm të deputetit Rraja, se do të shërbente për të shtruar në dru banorët e pabindur të Borizanës, u përball fort me reagimin e ashpër të opinionin publik. Këta të fundit jo vetëm dënuan dhunën, por vendosën me shpatulla pas murit edhe Policinë e Shtetit, e cila sipas tyre ishte dorëzuar përpara disa banditëve lokalë.
Policia, e cila deri në publikimin e plotë të videos, ku shfaqeshin qartë aktet e dhunës, ishte treguar e pafuqishme për të reaguar. Ndërkohë që si organizatorë të këtij sulmi barbar akuzohen Xhelal dhe Rexhep Rraja, përkatësisht vëllai dhe djali i tij deputetit socialist.
Jashar Maja
A mund të na tregoni si ndodhi ngjarja, ku dhe me kë ishit kur ushtruan dhunë mbi ju?
Ne ishim në autostradë, më mori cuni xhaxhit në telefon, ku je, i thashë jam në filan vend, pranë atij lokalit. Punoj tek një firmë lulishteje dhe më mori në telefon, më tha kam lënë takim me inxhinierin e gurores. E ka marrë çuni xhaxhait në telefon, e kemi pritur aty 10 minuta, ka ardhur, kemi porositur kafet, kemi filluar bisedën të gjejmë një rrugëzgjidhje për guroret që mos të na prishë shtëpitë. Shtëpitë duken që janë plasaritur komplet, jo vetëm e imja, por komplet e lagjes edhe e fisit tim. Momentalisht sa po vinin kafet, ka ardhur fisi Rraja ashtu sikur i keni pa dhe në atë video që e kanë nxjerrë vetë, se kam nxjerrë unë. Na kanë dhunuar në mënyrë barbare. Nuk i kemi asnjë borxh. Shkaku ka qenë gurorja. Ne kemi protestu për guroren.
Por për personazhet dhunues që shfaqen në pamjet filmike, kjo nuk ishte hera e parë që ata përfshiheshin në ngjarje të tilla. Ky që shikoni në video është Rexhep Rraja, djali i deputetit Rrahman Rraja.
I njëjti i cili në vitin 2018, u arrestua nga policia pas denoncimit të së dashurës së tij, Xhisiela Maloku, se ky i fundit i fikte cigaret në trup, gjatë qëndrimit së bashku në hotel. Denoncim që në atë kohë u kthye edhe në një skandal tjetër.
Oficeri i policisë në komisariatin e Fushë-Krujës, Emiliano Nuhu, që regjistroi denoncimin e Xhisiela Malokut, tha se u kërcënua brenda në komisariat nga Xhelal Rraja, vëllai i deputetit Rrahman Rraja. Kërcënim që sipas tij ishte bërë në sy të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, Taulant Balla. Gjë që u mohua nga ky i fundit.
Ndërkohë që pas kësaj ngjarje, oficeri i policisë Emiljano Nuhu, pasi u kërcënua edhe nga një tjetër anëtar i familjes Rraja, dhe duke mos gjetur mbështetje, u largua nga Shqipëria,duke kërkuar strehim në një vend të Bashkimit Evropian.
Një tjetër person i përfshirë në aktin e dhunës, u bë edhe Xhelal Rraja, vëllai tjetër i Rrahman Rrajës, mjëherazi babai i Ramazan Rrajës, ky i fundit i cili ndodhet në qeli si një nga personat e përfshirë atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, më 1 Nëntor 2019.
Xhelal Rraja i cili njihet edhe me nofkën ‘Gjyshi’, një personazh me shumë ndikim në qarkun e Krujës, që më herët, publikisht do të kërcënonte në prani të mediave, drejtorin e policisë kriminale në Policinë e Shtetit, Neritan Nallbatin, është edhe një nga personat që gjatë aktit të dhunës ndaj kushërinjve Maja, mban në dorë një pistoletë dhe ushtron dhunë ndaj kushërinjve Maja.
Xhelal Rraja
Bëj yzmet rrogës….
Një tjetër person i familjes Rraja, që ushtron dhunë ndaj dy kushërinjve Maja, është edhe Flamur Rraja. Vëllai tjetër i deputetit Rrahman Rraja. Ai me pistoletë në dorë është drejtuar mbi kokën e Bilbil Majës. Por video e dhunës shkaktoi edhe një reagim të fortë politik. I pari që reagoi nga kampi socialist ishte ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili në një komunikim publik i cilësoi si të të papranueshme pamjet e dhunës. Duke sjellë kështu edhe distancimin e parë nga Partia Socialiste, forca politike, Rrahman Rraja, aderon si ligjvënës prej dy mandatesh.
Bledi Çuçi
Të rënda dhe të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë.
Por ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuci, u përpoq të mbronte punën e policisë, e cila kishte dështuar në ndalimin e plotë të të gjithë pjesëmarrësve në dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja, i fortë erdhi edhe reagimi i opozitës. Ish-kryeministri Berisha, u kujtoi pjesëtarëve dhunues të familjes Rraja se nuk duhet të gëzonin paprekshmërinë, sa kohë mbroheshin nga pushteti i njeriut të tyre deputet, pasi drejtësia vonon por nuk harron.
Sali Berisha
Dy vëllezërit e deputetit të PS, Rrahman Rraja, Xhelal e Flamur Raja, dhe djali i këtij të fundit, kanë rrahur shtazërisht me shkopa bejsbolli dhe kërcënojnë me pistoletë qytetarët e pafajshëm, Bilbil dhe Jashar Maja, kryetar i grupseksionit të Partisë Demokratike në Borizanë.
Ky akt kriminal i fisit Rraja ka ardhur pas ankimit të vëllezërve Maja se atyre u ishte dëmtuar shtëpia nga shpërthimet në guroren që shfrytëzohej nga Rrajat.
Duke shprehur solidaritetin e plotë të Partisë Demokratike, Bilbil dhe Jashar Majas, Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të bandës qeveritare Rraja dhe iu rikujton këtyre kriminelëve se drejtësia vonon, por nuk harron krimet tuaja të shëmtuara.
Por duket se presioni i shtuar publik, çoi pas 48 orësh edhe në vendimin për lëshimin nga kryeministri Rama të deputetit, Rrahman Rraja. Ai dha dorëheqjen 24 orë pas publikimit të plotë të pamjeve filmike të cilët nuk linin asnjë mëdyshje se në atë akt të pashembullt dhune, kishin marrë pjesë njerëzit e tij më të afërt të familjes.
Çka e rëndonte edhe më shumë pozitën e tij si ligjvënës, përballë opinionit publik, dhe forcës politike që e kishte zgjedhur si ligjvënës.
Rrahman Rraja
Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike.
Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjese viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë force që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir.
Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova.
Por furtuna e dhunës ndaj pjesëtarëve të fisit Maja, nuk do të përfundonte këtu, por do të merrte me vete edhe ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi. Ai do të shkarkohej nga ky post nga kryeministri Rama dhe do të zëvendësohej në këtë detyrë të lartë ministrore, nga Taulant Balla.
Ndërkohë që vendimi do të sillte për pasojë edhe shkrirjen e plotë të komisariatit të policisë së Fushë-Krujës dhe kalimin e kompetencave policore në këtë zonë në dorë të Tonin Vocaj, që aktualisht mban edhe detyrën e drejtorit të policisë së Tiranës.
Vendimi
E gjithë trupa drejtuese e komisariatit të Krujës do të shkarkohet dhe rendin dhe sigurinë në këtë territor do ta marrë Tonin Vocaj, drejtor i Policisë së Tiranës. I cili do të ndjekë në vazhdim edhe hetimet për dhunën fizike ndaj pjesëtarëve të fisit Maja.
Sipas Vocaj, vinte pas dyshimeve se në këtë komisariat kishte dyshime për familjarizim të fisit Rraja me uniformat blu. Çka kishin çuar edhe në mosveprimin e këtyre të fundit, pavarësisht se banorë të fshatit Borizanë kishin dorëzuar 40 denoncime, ndaj guroreve që po u shkatërronin banesat. Por ndërsa u morën këto masa, anëtarë të rëndësishëm të familjes Rraja që morën pjesë në dhunën e ushtruar ndaj dy pjesëtarëve të fisit Maja, vazhdojnë të jenë në arrati.
Pavarësisht thirrjes së policisë së Shtetit për t’u dorëzuar.
Policia e Shtetit
Policia e Shtetit i bën thirrje shtetasve Xhelal dhe Rexhep Rraja, si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, të dorëzohen sa më parë në polici së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale. Policia e Shtetit kërkon mbështjetjen e publikut për dhënien e informacioneve për vendndodhjen e këtyre personave dhe për çdo informacion të telefonojnë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë.
Sipas dokumentacionit që siguron emisioni ‘Në shënjestër’, administrator i kompanisë që kryen punimet e gërmimit në guroren që u bë mollë sherri midis banorëve të fshatit Borizana dhe fisit Rraja, rezulton të jetë Viktor Delia.
Ndërsa më herët, Policia e Shtetit ka deklaruar se pronar i gurores dhe disponues i licencës, është shtetasi Përparim Rraja, kushëri i ish-deputetit të PS në Krujë, Rrahman Rraja.
Emërtesa tregtare e subjektit që disponon licencën është ‘Doku P’, e themeluar në vitin 2000 me objekt prodhim dhe tregtim te Inerteve dhe transport ndërkombetar i tyre, ku del se themeluesi i subjektit ‘Doku P’, Pëllumb Doku, ia ka shitur 50 për qind të kuotave shtetasit Përparim Rraja me një kontratë të datës 27 qershor 2012.
Nga verifikimi i ekstraktit historik në Qendrën Kombëtare të biznesit, rezulton se subjekti deri në këtë kohë nuk ka pasur probleme në ushtrimin e aktivitetit. Por pas vitit 2012 ekstrakti historik tregon një seri problematikash në aktivitetin e kompanisë.
Por pas këtij skandali, që dëshmoi edhe njëherë fytyrën e vërtetë të qeverisjes, u vendos që punimet në guroren që administrohej nga Përparim Rraja, kushëri me tashmë ish-deputetin Rrahman Rraja, të pezullohen deri në një vendim të dytë.
Policia e Shtetit
Pas këqyrjes së sipërfaqjes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj, u vendos bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN dhe AKSEM.
Përveç kontrollit në këtë gurore u bë kqyrja e 9 banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i saj.