Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka reaguar për rënien e transmetimit të energjisë elektrike në vend, ku ka sqaruar se defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë, dhe ka vazhduar në të gjithë vendin.
Sipas ministrisë, shkak i shkëputjes kanë qenë volumet e larta të transmetimit dhe temperaturat ekstreme.
“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin. Është identifikuar defekt edhe në linjën e Prizrenit.
Nga kqyrja fillestare rezulton se volumet e larta të transmetimit si dhe temperaturat ekstreme kane qenë shkaktarët e shkëputjes totale të linjave të transmetimit. OST po merr masa për rikthimin e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorëve.”, thuhet në njoftim.