Shkodër/ Strehonte 22 emigrantë për t’i nxjerrë më pas jashtë Shqipërisë, kundrejt pagesës! Arrestohet 44-vjeçari, shpallen në kërkim 3 kosovarë

Një 44-vjeçar është arrestuar ditën e sotme, si dhe janë shpallur në kërkim tre kosovarë, për dhënie ndihmë ndaj 22 emigrantëve, për t’i kaluar ilegalisht jashtë kufirit shqiptar, kundrejt pagesës.

44-vjeçari i identifikuar me inicialet A.L. kishte strehuar në banesën e tij 22 emigrantët që vinin nga vendet e treta, ndërsa tre kosovarët e identifikuar me inicialet A. K, 36 vjeç, S. O., 37 vjeç dhe B. S., 39 vjeç dhe të shpallur në kërkim  akuzohen si bashkëpunëtorë të 44-vjeçarit.

Policia ka sekuestruar një automjet tip “Benz” me targa kosovare që do të përdorej për të kaluar emigrantët ilegalisht jashtë kufirit shqiptar.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e DVKM Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për një rast të tentativës për dhënie ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Danubi 9”.

Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi A. L., 44 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh.

Ky shtetas kishte strehuar në banesën e tij, 22 shtetas nga Vendet e Treta, të cilët do t’i ndihmonte, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht kufirin.

Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit: A. K, 36 vjeç, S. O., 37 vjeç dhe B. S., 39 vjeç, të tre  banues në Gjilan, Kosovë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale”,-njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 11.06.2024 15:40