Rreziku për qenë i varfër, Shqipëria kryeson Europën me 43% të popullsisë

Shqipëria ka gati gjysmën e popullsisë në rrezik për të qenë i varfër.

Sipas të dhënave të fundit të Eurostat 21.6 për qind e popullsisë në 27 vendet e anëtarë të BE-së ishin të rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social në vitin e pandemisë 2020.

Në Shqipëri ky tregues, sipas INSTAT ishte sa dyfishi i mesatares se BE-së, me 43.4 për qind të popullsisë në rrezik për të qenë të varfër në të njëjtin vit. Në vitin 2020, treguesi sipas Eurostat kishte qenë 46%.

Në rajon, të dhënat janë të disponueshme për vitin 2020, kur ky tregues ishte relativisht më i lartë për shkak të problemeve që u krijuan nga pandemia.

Pas Shqipërisë, nivelin më të lartë të personave në rrezik varfërie dhe përjashtim social e ka mali i Zi, me 38%, i ndjekur nga Rumania me 34.4%, Turqia 34%, Maqedonia e Veriut 32.6, Bullgaria 31.7, Serbia 29.8.

Sipas përcaktimeve të Eurostat rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.

Niveli i Rrezikut për të qenë i varfër tregon përqindjen e personave që jetojnë në familje ku të ardhurat e disponueshme të ekuivalentuara janë nën kufirin e rrezikut për të qenë i varfër.

Niveli i rrezikut për të qenë i varfër ka në përbërje të tij privimin material dhe aksesin e dobët në punësim.

Në Shqipëri shkalla e privimit material ishte 34.7 % në vitin 2020, çka tregon përqindjen e individëve që jetojnë në familje të cilët nuk përballojnë të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material. Nëntë kategoritë e primit material janë;

1-Pamundësia për të paguar në kohë këstet e kredisë apo qirasë, blerjet me këste ose pagesa të tjera;

2- Pamundësia për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia;

3- Pamundësia për të përballuar një vakt me mish, pule, peshk (ose ekuivalentin për vegjetarianët) një herë në dy ditë;

4- Pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar me vlerën 000 lekë të reja;

5-Pamundësia financiare për të përballuar një telefon (duke përfshirë telefonin celular);

6- Pamundësia financiare për të pasur një TV me ngjyra;

7- Pamundësia financiare për të pasur një makinë larëse;

8- Pamundësia financiare për të pasur një makinë;

9- Pamundësia financiare e familjes për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në dimër.
Personat që janë të prekur nga katër kategoritë e privimit material janë në rrezik për të qenë të varfër.
Intensiteti i ulët i punës është një nënkategori tjetër për evidentimin e njerëzve të rrezikuar nga varfëria.

Në Shqipëri ky tregues është vlerësuar 34,7% në vitin 2020. intensiteti në punësim i familjes i referohet numrit të muajve që të gjithë individët e familjes kanë punuar kundrejt numrit gjithsej të muajve që teorikisht duhet të punojnë gjatë vitit (12 muaj).

Familjet të cilat konsiderohen me intensitet shumë të ulët në punësim përcaktohen në kufirin 20 %. individët e grup-moshës 18-59 vjeç, të cilët jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim, në vitin 2020 sipas vlerësimeve përbëjnë 11,6%.

Sipas Eurostat në vitin 2020 në BE ishin 96.5 milionë njerëz në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social , që përfaqësonin 21.9% të popullsisë.

Përqindjet më të larta të njerëzve në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social u regjistruan në Rumani (34%), Bullgari (32%), Greqi dhe Spanjë (të dyja 28%).

Në të kundërt, përqindjet më të ulëta të njerëzve në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social u regjistruan në Çeki (11%), Slloveni (13%) dhe Finlandë (14%)./Monitor