Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, GJKKO kalon për gjykim çështjen për Dritan Rexhepit dhe grupit të strukturuar kriminal

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kaluar për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurve Dritan Rexhepi, dhe grupit të strukturuar kriminal, që akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Kjo çështje kaloi për gjykim pasi ishte pezulluar për një vit.

Kujtojmë se hetimi nisi për Rexhepin, i arrestuar në Ekuador, Gentian Funiqin që ndodhet pas hekurave në Spanjë, si dhe për pjesëtarët e tjerë të këtij grupi; Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Geshtenja e Artan Docaj.

Ndërkohë, gjyqi për Altin Hajrin për të njëjtat akuza është pezulluar deri në kapjen e tij.

Jan Prenga u mor peng më 17 janar 2020 në zonën e Kamzës. Ai u dërgua në resortin e Altin Hajrit në Shijak, ku u torturua dhe zhvesh. Dyshohet se gjatë dhunës, Prenga u mbeti në dorë pengmarrësve, që vendosën të zhdukin trupin. Edhe pas kërkimeve në zonën e Shijakut, trupi i tij ende nuk është gjetur.

49-vjeçari ishte babai i 5 fëmijëve dhe ka 4 vëllëzër, njëri prej të cilëve është bërë shkak edhe për pengmarrjen e tij. Vëlali i Janit, Astrit Prenga i bllokoi një dërgesë kokaine një tjetër shqiptari, Dritan Rexhepaj.

Ky i fundit, pasi Astrit Prenga i bllokoi 300 kg kokainë urdhëroi në Shqipëri që të merrej peng vëllai i tij i madh në formë presioni për të liruar ngarkesën por gjatë pengmarrjes Jan Prenga ndërroi jetë./Albeu.com/

 


Shtuar 13.06.2023 12:21