Rama në Durrës: Progresi që është bërë nuk është një progres i përmbyllur, por duhet të vazhdojë

Kryeministri Edi Rama, gjithashtu kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot takime me organizatat socialiste në Durrës, ku vazhduan anëtarësimet e reja, si pjesë e procesit të rienergjizimit të PS-së. Në takim, Rama inkurajoi organizatat socialiste të jenë edhe më ambicioze dhe të synojnë rritjen e rezultateve në çdo qendër votimi.

Rama u shpreh se “në këtë fazë të zhvillimit, Partia Socialiste ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme për mënyrën sesi ecën gjithë vendi jonë”.

“Ju jeni këtu në zemër të industrisë së turizmit dhe ju e shihni vetë se çfarë lloj rritje ka në këtë aspekt dhe sigurisht që nga kjo përfitojnë të gjithë.

Në aspektin e ekonomisë familjare përfiton kush ka këtë lokalin, përfiton ai që ka lokalin tjetër, përfiton ai që ka hotelin, përfiton ai që jep shtëpinë me qira etj, etj.

Pra, nuk është se erdhën vjet 10 milionë, do vinë këtë vit të shohim po besoj goxha më tepër, nuk është kështu”, tha Rama.

Sipas tij, “progresi që është bërë nuk është një progres i përmbyllur, por duhet të vazhdojë”.

Rama u shpreh shumë optimist për Durrësin, edhe për qarkun, sepse investimet kanë dhënë dhe do japin në vijimësi impakt pozitiv.

“Ne kemi disa projekte që po bëjmë, kemi të tjera projekte që do t’i zhvillojmë, por nga ana tjetër edhe investimet private në turizëm. E shoh nga kërkesat, jo vetëm që po shtohen, por janë shumë cilësore sepse është shumë e nevojshme të rrisim ofertën turistike me struktura mikpriteje që sjellin klientë që paguajnë më shumë”, tha ai.

Rama theksoi se turizmi është një industri që sjell të ardhura zinxhir, sepse vë në lëvizje gjithë zinxhirin që nga ata që prodhojnë ushqim, tek ata që garantojnë shërbimet, punësim, etj, etj.

“Jam shumë optimist, plus me projektet e mëdha që nga hekurudha tek porti i ri që tani është në fazën finale dhe do të hidhet në garën ndërkombëtare dhe do të fillojë ndërtimi i portit në Porto-Romano, tek porti turistik ku vazhdon puna.

Pastaj nuk diskutohet pjesa e vazhdimit të projekteve që janë më komunitare.

Kemi njëkohësisht projektin e plazhit që do ta vazhdojmë se përveç asaj hapësirës, segmentit pedonal, kemi edhe zgjerimin e brezit të rërës që do të sjellë një frymëmarrje dhe një hapësirë shumë të këndshme për pushuesit”, tha Rama.

https://www.facebook.com/watch/?v=852154433380749


Shtuar 7.03.2024 22:26