Prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm, ja me sa vite u dënua 42-vjeçari shqiptar që vrau bashkëshorten në sy të fëmijëve

Një gjykatë në Itali ka dënuar me 27 vite burg Selami Bodin, e cili vrau bashkëshorten e tij duke e mbytur, natën mes 27 dhe 28 tetorit 2023.

Dënimi u dha nga kryetari i gjykatës së shkallës së lartë Franco Greco në kuadër të gjyqit të vrasjes që u zhvillua në Savona, ndërkohë që Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm.

42-vjeçari u shpall fajtor për mbytjen e gruas së tij gjatë një mosmarrëveshjeje në familje, duke e lënë të pajetë në shtrat, ndërsa fëmijët e tyre flinin në dhomën tjetër.

Përveç dënimit penal, i akuzuari është urdhëruar që të paguajë dëmshpërblim prej 770 mijë euro për palët civile të përfshira në gjykim. Megjithatë, ai u lirua nga akuzat për dëmtim të rëndë dhe të vazhdueshëm.

Sulmi ndodhi pas një debati të ashpër, i nxitur nga xhelozia e bashkëshortit të saj. Pasi gruaja ishte strehuar në dhomën e gjumit për t’i shpëtuar sulmit dhe ndoshta për të kërkuar ndihmë, burri e ndoqi atë dhe kreu aktin e rëndë.

Vrasësi, i vetëdijshëm për veprimet e tij, ka telefonuar në numrin e urgjencës 112 për të kërkuar ndihmë. Në vendngjarje kanë ndërhyrë punonjësit e shëndetësisë dhe policia, të cilët e kanë arrestuar menjëherë me akuzën e tentativës për vrasje. Fatkeqësisht, gruaja vdiq menjëherë pas transportit urgjent në spitalin San Paolo në Savona.


Shtuar 10.05.2024 22:35