Papa Françesku pret Arqipeshkvin Imzot Arjan Dodaj

Ditën e sotme, në përkujtimin e Shën Marisë Virgjër Mbretëreshë, Ati i Shenjt, Papa Françesku priti në një takim privat Arqipeshkvin tonë Imzot Arjan Dodaj F.d.C.

Gjatë shkëmbimit, Imzot Arjani i paraqiti Papës programin e takimeve MED 24, që do të mbahen në Tiranë në shtator si fryt edhe i përvjetorit të 10-të nga ardhja e Françeskut në Shqipëri.
Papa Françesku ka shprehur gëzimin e tij për këtë nisje duke premtuar afërsinë e tij dhe lutjet e tij për popullin tonë që ka vuajtur shumë për të mbajtur të ndezur llambën e fesë. Ati i Shenjt fton dhe nxit Arqidioqezën tonë të Tiranë-Durrës të ecë përpara me një hov të ri duke u angazhuar, me kurajo dhe gëzim në nisjet e reja në fushën e ungjillëzimit.
Arqipeshkvi i prezantoi Papës, një bluzë dhe një etiketë duke treguar ashtu, në mënyrë konkrete dhe simbolike njëkohësisht, regjistrimin e tij për takimet mesdhetare “MED 24” në Tiranë. Në fund, ai i dërgoi bekimin e tij apostolik Arqidioqezës shqiptare.


Shtuar 22.08.2024 14:49