Opozita i kërkon kuvendit anulimin e mbledhjes së Komisionit Hetimor të Shëndetësisë

Përmes një shkrese zyrtare, opozita i kërkon Kuvendit të shpallë të pavlefshme mbledhjen e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë nga Plarent Ndreca pasditen e së enjtes.

Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi tha se votimit i planit hetimor në një mbledhje të thirrur në mënyrë të njëanshme vetëm nga socialistët është nul.

Përmes planit hetimor të miratuar nga socialistët, Vokshi thotë se po tentohet të shpëtohen nga përballja në Komision Hetimor kryeministri Edi Rama, që në listën e dëshmitarëve të hartuar nga anëtarët e majtë, nuk është përfshirë.

Vokshi shkon edhe më tej në akuza, duke thënë se maxhoranca po tenton pazare me deputetët për të fshehur hetimin e parlamentit për Check-up dhe Sterilizimin.

Pas dështimit të enjten për 3 orë për të gjetur konsensusin mes opozitës dhe maxhorancës për planin hetimor dhe shkresat për informacion në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi, nënkryetari Plarent Ndreca pak minuta më vonë mblodhi vetë anëtarët e PS në një mbledhje dhe kaloi planin e hetimit me 8 vota.


Shtuar 26.04.2024 17:05