Nis vaksinimi i mësuesve, Manastirliu: Vaksinim masiv në të gjithë vendin

Sot nisi vaksinimi i mësuesve me vaksinat AstraZeneca, të siguruara nga financimi i qeverisë, nëpërmjet mekanizmit COVAX, të cilat mbërritën mbrëmë në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishin në shkollën “4 Dëshmorët”, ku filloi procesi i vaksinimit për 250 mësues, ndërkohë që vaksinimi për mësuesit dhe pedagogët do të shtrihet në të gjithë vendin, duke filluar nga dita e hënë.
“Kemi filluar sot me 6 shkollat e para në Tiranë, të koordinuara me Drejtorinë Arsimore të Tiranës.

Nga dita e hënë fillojmë shpërndarjen e vaksinave në Njësitë e Kujdesit Shëndetësor në të gjithë vendin, për të vijuar vaksinimin e të gjithë mësuesve në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Me dozat e vaksinës AstraZeneca, do të ketë një vaksinim të kombinuar të mësuesve dhe të moshuarve.
“Me këto doza ne do të bëjmë vaksinimin e kombinuar, përpos mësuesve do të vijojmë edhe me të moshuarit +80 vjeç sepse AstraZeneca, ashtu sikurse Komiteti i Vaksinimit ka vendosur, përdoret për të gjitha moshat mbi 18 vjeç”, tha Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama tha se shumë shpejt pritet një sasi e konsiderueshme vaksinash.
“Ju keni kaluar një periudhë të vështirë dhe keni sakrifikuar shumë me thënë të drejtën. Edhe kjo pjesa e detyruar e ndërprerjes së aktivitetit online, ju e dini shumë mirë është një alternativë por nuk është njësoj si në auditor. Dhe prandaj ne duam që sa më shpejt t’ju nxjerrim juve nga ky shqetësim. Të paktën gjithë mësuesit njësoj si mjekët dhe infermierët të mos kenë më mundësi të preken nga virusi.

Ne jemi afër një lajmi të madh tani. Edhe pak ditë edhe besoj do të sjellim edhe një sasi tjetër të konsiderueshme”, tha Kryeministri Edi Rama.

Shefja e sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino tha se vaksina është e sigurtë.

“Është një vaksinë tepër e sigurtë. Edhe gjatë provave klinike nuk është vënë re asnjë gjë. Shiringat janë vetëshkatërruese. Kështu që nuk ka as hollim, asgjë. Ky është një vaksinim masiv, i bukur”, tha Bino.

Gjatë ditës së sotme në ambientet e shkollës “4 Dëshmorët” janë vaksinuar 250 mësues të shkollave: “4 Dëshmorë”; “Partizani”; “Andon Zako Çajupi”; “Misto Mame”; “Skënder Çaçi”; “Siri Kodra”. Mbrëmë kanë mbërritur 38 400 doza vaksine të AstraZeneca, ndërsa do të vijojë furnizimi me vaksina Pfizer dhe AstraZeneca, për të vijuar vaksinimin e kombinuar, sipas planit kombëtar të vaksinimit.

Deri tani kanë mbërritur në Shqipëri 71,160 doza vaksinash Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa janë kryer rreth 24 mijë vaksinime.

Qeveria shqiptare ka siguruar deri tani 1,6 milion doza vaksine për 800 mijë qytetarë.


Shtuar 13.03.2021 13:53