Lideri i partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski, vazhdon të kritikojë se Qeveria nuk ka siguruar në kohë thëngjill dhe gaz dhe për këtë arsye konsideron se qytetarët në Maqedoninë e Veriut i pret dimër i vështirë me mundësi për restriksione.
“Dimër i vështirë me energjensë të shtrenjtë dhe goditje e re në xhepin e qytetarëve”, ky është parashikimi i liderit të opozitares VMRO-DPMNE për periudhën që vjen, për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë që në kohë të prokurojë energjensët.
“Pas një muaji fillon viti shkollor, ndërsa pas dy muajve e gjysmë fillon sezoni i ngrohjes. Nuk kanë siguruar thëngjill, nuk kanë siguruar gaz, renditen kontratat në katër sy për gërmime në REK Manastiri, por jo për gërmim të vërtetë , por për grumbullim në xhepat e personave privatë dhe arkat partiake”, deklaroi Mickoski.
Se ky dimër do të jetë i vështirë dhe me krizë të theksuar energjetike, e tha edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ai u shpreh se konflikti i fundit Rusi-Ukrainë ka bërë të pashmangshëm ndikimin e krizës globale edhe në Maqedoninë e Veriut, por se qeveria do të mundohet që të ofroj ndonjë opsion për tejkalim sa më të lehtë të krizës./alsat