Me lëndë narkotike në xhep, arrestohet familjari në burgun e Drenovës

Një shtetas është arrestuar nga policia paso ju gjet në xhep lëndë narkotike gjatë kontrollit familjar në burgun e Drenovës.

Burime kanë bërë të ditur se shtetasi ka shkuar në burg për të futur një çantë me ushqime për një të paraburgosur që rezulton kushëriri i tij. Gjatë kontrollit që u bëhet të gjithë personave që dorëzojnë ushqime e veshje, i janë gjetur në xhep të bluzës rreth 3 gram kanabis sativa.

Nuk dihet ende nëse ai ka patur për qëllim ta fusë drogën brenda IEVP Drenovë, megjithatë do të jenë hetimet që do të zbardhin të gjitha rrethanat.

I arrestuari po dërgohet në ambientet e komisariatit të Korçës ndërsa pas pak ditësh do të ketë edhe seancën për masën e sigurisë.


Shtuar 15.04.2024 20:09