Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët, Soreca: Vendet mund të bashkëpunojnë. Balluku: Asgjë për t’u shqetësuar

Zëvendëkryeministrja Belinda Balluku së bashku me të Dërguarin me Punë të Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca kanë bërë prezantimin e progres raportit për Shqipërinë.

Më pas, të pyetur nga gazetarët lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Itali për pritjen e emigrantëve afrikanë në Shëngjin, Balluku dhe Soreca kanë dhënë mendimet e tyre.

Soreca tha se mes vendeve anëtare të BE dhe vendeve jo anëtare, mund të ketë një marrëveshje që i përmbahen legjislacionit europian.

Soreca: Ne e kemi marrë tekstin dy ditë më parë dhe e kuptojmë se ky tekst është vetëm një hap i parë.  Për momentin është e parakohshme të japim një vlerësim për dokumente që kanë më shumë vlerë politike dhe jo ligjore. Në çdo rast BE dhe vendet anëtare mund të bashkëpunojnë me vendet e tjera duke respektuar legjislacionin e BE.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se nuk ka asgjë për tu shqetësuar dhe marrëveshja do të kalojë në Parlament për ratifikim.

Balluku: Marrëveshja ka kaluar në qeveri të gjithë procesin dhe do të shkojë në parlament për t’u ratifikuar. Askush nuk duhet të shqetësohet, as për kornizën juridike të saj. Përcakton në mënyrë të duhur të drejtën e palëve.

E konsiderojmë Shqipërinë një shtet europian, e kuptojmë shumë mirë problematikën që ka sot shteti fqinj. Jemi solidar. Na vjen keq që ka politikanë shqiptarë që për arsye të luftës me qeverinë merren me ngjyrën e emigrantëve. Jemi popull që kemi vuajtur në kurriz paragjykimet. Është një rrugë e gjatë, do shkojë në parlament, do e dëgjoni në komisione./Albeu.com