Balluku: Shqipëria ka infrastrukturën për të pasur një Kod Rrugor modern

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Energjishë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku mendon se vendi ynë ka tani infrastrukturën e duhur për të hartuar një Kod Rrugor modern, i cili do t’i përgjigjej nevojave aktuale të vendit.

Balluku: “Padyshim ky është një projektligj shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Është një projektligj që duhet të gjejë një konsensus të gjerë, pasi Shqipëria tashmë ka infrastrukturën e duhur për të pasur një Kod Rrugor modern, i cili duhet ti përgjigjet të gjitha zhvillimeve që tashmë ne kemi në vendin tonë.

Në fjalën e saj në Kuvend, Belinda Balluku renditi disa nga nyjet e infrastrukturës rrugore, që janë ndërtuar me standarde të larta.

Balluku: Sot, ashtu siç të gjithë e dini, kemi ndërtuar një infrastrukturë të denjë për çdo vend europian. Bypass-i Fierit, Vlorës, Shkodrës, Tepelenës, rruga Kardhiq-Delvinë, Unaza e Madhe, e cila një pjesë e mirë tashmë ka përfunduar dhe vazhdojmë me lotet e tjera për ta përmbyllur të gjithë këtë proces në 2024, por edhe korridoret e rëndësishme, sapo vij nga një takim me Komisionerin Varhelyi, i cili sapo më ka konfirmuar edhe një herë se Korridori VIII tashmë është i miratuar nga Bashkimi Europian, nga Komisioni dhe nga të gjitha forumet e tjera dhe është thjesht çështje ditësh për t’u bërë publik dhe me miratimin e këtij Korridori, pra më në fund si pjesë e Ten10, ne do të kemi mundësi që të gjitha projektet tona, qoftë ato infrastrukturore, siç janë bypass-i i Elbasanit, apo bypass-i i Librazhdit apo hekurudha që do të lidhë Durrësin me Rrogozhinën dhe Rrogozhinën më pas me Pogradecin për t’u lidhur me Maqedoninë e Veriut, janë të gjitha projekte europiane të cilat do të mbështeten edhe me fondet e Bashkimit Europian.

Ajo u shpreh se krahas zhvillimeve në infrastrukturë janë kryer investime në qendrat e monitorimit, të cilat kanë në fokus survejimin e përdoruesve të rrugës, me qëllim respektimin e rregullave të qarkullimit.

Balluku: Sigurisht të gjitha këto zhvillime infrastrukturore, që janë mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe puna që është bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe nga ARRSH-ja, nuk mbeten vetëm tek ndërtimet e rrugëve, por edhe tek zhvillimet e tyre teknologjike, ashtu siç është dhe rasti i ngritjes së Qendrës së Monitorimit, e cila do të nisë me 200 kilometrat e parë për të monitoruar të gjithë lëvizjet e trafikut ku komponentët do ti ofrohen edhe Policisë së Shtetit për sigurinë, por edhe urgjencës, edhe zjarrfikësve dhe sigurisht do të jetë një qendër ku do të kontrollohet trafiku, fluksi i tij dhe ndarja nëpër autostradat moderne që ne tashmë kemi./Albeu.com/


Shtuar 16.03.2023 18:04