Mallkimi përndjek familjen në Roskovec, Semani i “përpiu” dy anëtarë, djali i madh i zhdukur prej 5 ditësh

Tragjeditë kanë ndjekur hap pas hapi familjen Sakaj në Suk të Roskovecit.

Disa vite më parë kryefamiljari u mbyt në lumin Seman duke peshkuar, ndërsa në gusht të vitit 2022 familja humbi djalin 14-vjeçar, i cili me sa duket pati të njëjtin fat me të atin.

14-vjeçari ishte duke peshkuar më 10 gusht dhe më pas dyshohet se u fut për tu larë.

Pas dy ditësh kërkime, palombarët gjetën trupin e pajetë të vogëlushit.

Ditën e sotme, Albeu.com mëson se djali tjetër i familjes, Ferit Sakaj 30 vjeç rezulton i zhdukur prej ditësh dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Lajmin e ka konfirmuar kunati dhe motra e të humburit që punojnë prej vitesh emigrantë në Greqi. Ata pohojnë se një ditë më parë familjarët e tij kishin shkuar në policinë e Roskovecit ku kanë kryer dhe denoncimin për zhdukjen e djalit.

30-vjeçari ishte larguar nga banesa pesë ditë më parë (në datën 1 janar) dhe nuk është kthyer më.

E ëmra e 30- vjeçarit ka kryer denoncimin në policinë e Fierit dhe ka pohuar se djali kur ishte larguar i kishte thënë se do shkonte tek e motra në Fier.

Mësohet se 30- vjeçari i zhdukur është edhe i sëmurë./Albeu.com/


Shtuar 6.01.2023 17:16