Laert Haxhiu donte t’i eleminonte, pas Doloreza Musabelliut, KLP cakton mbrojtje për prokuroren Merita Selimi

Pasi kreu i SPAK, Altin Dumani, njoftoi se kishte marrë masa për mbrojtjen e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, ditën e sotme KLP ka caktuar mbrojtje edhe për prokuroren Merita Selimi.

Të dyja prokuroret, së bashku me avokatin Adriatik Doga, ishin në shënjestër të bandës së Laert Haxhiut për tu eleminuar.

Kjo doli nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani.

Artan Tafani, pjesë e bandës së Laert Haxhiut ka deklaruar se po thurej plani për ‘të hequr qafe’ magjistraten Merita Selimi si dhe prokuroren Doloreza Musabelliu si dhe avokatin e Lushnjës, Adriatik Doga.

“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelli, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokun e Laertit Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes. I kemi bërë foto prokurores, burrit avokat dhe fëmijëve. Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, ka deklaruar i penduari Tafani.

Ndërkohë pas dëshmisë së tij, mbrëmjen e kaluar janë kërkuar masa shtesë për mbrojtjen e prokurores Musabelli dhe pritet reagim nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Selimi ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë, ku mbeti i vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

Pas dy viteve hetime, Selimi shpalli moskompetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK. Prokurorja e Lushnjës në muajin korrik 2023 u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vetting). Çështjen e mori Doloreza Musabelli, prokurore në SPAK, ku aktualisht ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, ndërsa ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun./Albeu.com