Gazetari Artan Hoxha ka hedhur dyshime të forta në lidhje me vdekjen e Dorian Shurdhit dy ditë më parë në Belgjikë, i cili më pas u shpall si person i dyshuar për atentatin ndaj Kujtim Metës. Hoxha tha në Abc Live me Sibora Bitrin se nuk mund të jetë një koncidencë që Shurdhi të shpallej në kërkim për atentatin ndaj Metës vetëm një ditë pasi kishte vdekur.
Sipas tij, 24 orë para se të shpallej në kërkim dhe të bëheshin bastisje në shtëpinë e tij, të afërm dhe shokë kishin njoftuar vdekjen e tij në rrjetet sociale duke kërkuar mbledhjen e fondeve për rikthimin e trupit në Shqipëri.
Hoxha tha se Shurdhi është akuzuar për atentatin ndaj Metës pas vdekjes për një arsye të thjeshtë: hedhjen e fajin dhe mbylljen e çështjes.
“Unë dyshoj se autoritetet shqiptare e kanë shpallur në kërkim një ditë pas vdekjes pikërisht për t’i ngarkuar fajin për atentatin. Ai ka patur edhe bashkëpunëtorë në këtë atentat, por me vdekjen e tij ajo ngjarje nuk do të zbardhet”, tha Hoxha duke shtuar se konflikti në Lushnje është i madh dhe dy grupet që po përplasen janë të afërmit e Aldo Bares dhe pjestarë që bëjnë pjesë në grupin e Laert Haxhiut, Orges Bilbilit dhe Anterio Kaloshit.