Kush është Rovena Zoto, prokurorja qe doli mbi policinë për të goditur Call Center-at mashtrues në Tirane!

Operacioni kundër call center-ave në Tiranë ka prodhuar rezultate konkrete pas një hetimi të gjatë dyvjeçar, duke çuar në arrestime dhe sekuestrime të konsiderueshme.

Policia e Shtetit njoftoi se aksioni i koduar “Ghost Call” u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit.

Të lidhura

None found

Në total, Gjykata e Tiranës ka caktuar 9 masa sigurie, ku 7 prej tyre janë “arrest me burg”, ndërsa për dy persona është vendosur ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim paraqitjeje. Gjatë operacionit u arrestuan edhe disa persona në flagrancë, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim.

Ndërhyrja përfshiu katër ambiente të dyshuara për mashtrim online, të goditura njëkohësisht.

Nga kontrollet u sekuestruan 891,735 euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë dhe 6 laptopë, pajisje që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal ndaj shtetasve të huaj.

Hetimi nxjerr në pah rolin e prokurorisë në një çështje si ajo e Call Centerave ku policia ka dështuar herë pas here për shkak të bashëpunimit të disa segmenteve të saj.

Operacioni u zhvillua pas hetimeve të prokurores Rovena Zoto, e cila ka çuar përpara procedurat që sollën masat e sigurisë.

Mësohet se ka qenë pikërisht vendosmëria e prokurorisë që ka bërë diferencën, në një terren ku më herët janë raportuar edhe lidhje të segmenteve të policisë me këtë aktivitet.

Zoto është pjesë e Prokurorisë së Tiranës prej vitit 2022.

Ajo ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe për rreth një dekadë ka ushtruar detyrën në Prokurorinë e Lushnjes.

Në nëntor 2023 ajo kaloi procesin e vettingut me vendim unanim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të analizojnë pajisjet e sekuestruara për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

Goditja konsiderohet një nga ndërhyrjet më të forta ndaj call center-ave të paligjshëm, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo do të pasohet nga operacione të tjera në vijim. /skyweb.al


Shtuar 14.04.2026 20:53