Kryejnë parakalim të gabuar në aksin Tiranë-Elbasan, policia rrugore gjobit 18 drejtues mjetesh

Policia Rrugore e Elbasanit ka gjobitur 18 shoferë, të cilët kanë kryer parakalim të gabuar, në një zonë me fushëpamje të kufizuar.

Për secilin prej tyre është vendosur 3 mijë lekë të reja gjobë, teksa fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të qarkullimit rrugor.

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen 18 automjete që kryejnë parakalime të gabuara, në kushtet e fushëpamjes së kufizuar dhe në kundërshtim me sinjalizimin rrugor, në dalje të autostradës “Tiranë-Elbasan”, ju informojmë se:

Strukturat e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë kryer verifikimet dhe kanë vënë masën administrative 3 000 lekë të rinj për secilin automjet, bazuar në pikën 15, neni 146, të Kodit Rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit”, njofton policia.


Shtuar 28.04.2024 16:40