KOMBËTARJA/ Reja bën publike listën e lojtarëve, Ernest Muçi risia e “kuqezinjve” (FOTO LAJM)

Trajneri i kombëtares shqiptare Edoardo Reja ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidat kualifikuese të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022 që do të zhvillohen në muajin shtator. Janë 27 emrat e thirrur nga tekniku italian ku risia më e madhe është grumbullimi për herë të parë i ish-sulmuesit të Tiranës, Ernest Muçi i cili e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë sezon të ri me Legian e Varshavës në Poloni. Reja ka rikthyer në ekipin përfaqësues edhe emra të talentuar si Ramen Çepele, Mario Mitaj,  Enis Çokaj e Armando Broja të cilët u lanë jashtë në miqësoret e qershorit ndërkohë pjesa tjetër e skuadrës përbëhet e gjitha nga futbollistë që kanë qenë pjesë edhe në grumbullimin e fundit.

Për sfidat ndaj Polonisë në transfertë në 2 shtator dhe Hungarisë e San Marinos në shtëpi në datat 5 dhe 8 shtator, kombëtarja kuqezi do të mbështetet te elementë me peshë si Etrit Berisha e Thomas Strakosha në portë, Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Marash Kumbulla e Ardian Ismajli në mbrojtje, Amir Abrashi, Klaus Gjasula, Keidi Bare apo edhe Endri Çekiçi i cili vjen në kombëtare në një formë të shkëlqyer, në mesfushë si dhe Sokol Cikalleshi, Bekim Balaj, Myrto Uzuni e Rei Manaj në sulm të cilët gjithashtu vinë nga një periudhë shumë pozitive me klubet e tyre repsektive, pa harruar dy talentet e sulmit Armando Broja dhe Ernest Muçi.

Në vetëm 7 ditë, Shqipëria do të zhvillojë  tre ndeshje dhe mundësi aktivizimi do të kenë të gjithë futbollistët e grumbulluar. Dy ndeshjet deçizive që do të vendosin fatet e kuqezinjëve në grupin I kualifikues do të jenë ato ndaj Polonisë në transfertë në 2 shtator dhe 3 ditë më pas ndaj Hungarisë në Elbasan Arena. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se Kombëtarja do të nisë grumbullimin të dielën e 29 gushtit me lojtarët që do të bashkohen me stafin në Varshavë, ndërkohë futbollistët që janë të impenjuar me klubin të dielën do të mbërrijnë në kampin kuqezi të hënën. Pas 3 ndeshjeve të para në grupin I, Shqipëria ka grumbulluar 6 pikë dhe pozicionohet në vendin e 3-të.


Shtuar 28.08.2021 16:15