“Kemi lidhje jashtë politikës”, Balluku hedh poshtë zërat për kandidimin si kryebashkiake e Tiranës: Do mbështes Veliajn!

Zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku ka dhënë një intervistë për Euronews ku ka deklaruar se do të m bështesë Erion Veliajn për një mandat të tretë në krye të bashkisë së Tiranës.

Balluku doli përtej politikës duke zbuluar se Erion Veliaj ishte i rëndësishëm edhe për fëmijët e saj pasi ishte nun i vajzës.

Më tej, zv/kryeministrja u shpreh se Veliaj ka mbështetjen e çdo drejtuesi politik në Partinë Socialiste, ndërsa vlerësoi punën e tij në krye të bashkisë së Tiranës.

“Erioni ka shkëlqyer në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe fakti dhe popullariteti i tij tregon se e ka bërë punën shumë mirë. Ka mundësi që ta bëjë akoma më mirë në 4-vjeçarin tjetër. Ai ka tërë mbështetjen tonë, të çdo drejtuesi politik në PS të çdo anëtari të PS dhe përveçse këto janë saga mediatike që unë e kuptoj që duhen nga pak për të bërë më interesante jetën politike në vend dhe herë pas here më përmendet mua emri i Erionit, po unë po gjej rastin, nuk isha pyetur direkt për marrëdhënien me të, unë po gjej rastin të them: Ne jemi dy njerëz që kemi lidhje me njëri-tjetrin jashtë politike. Jemi njerëz që na bashkojnë familjet tona. Erioni është një person i cili është i rëndësishëm dhe për fëmijët e mi, pasi është nun i vajzës time. Takohemi edhe gjatë fundjavës për të ngrënë mëngjes me njëri-tjetrin.

Unë e kam parë që kohët e fundit njerëzit na shikojnë edhe me çudi pra duke dëgjuar gjëra që ndodhin në media që ndonjëherë unë nuk informohem dhe as ai nuk informohet dhe ajo që na ndodh është kur ulemi një të shtunë në mëngjes për të folur për punën dhe për të ngrënë mëngjes me njëri tjetrin, për të folur dhe për gjëra familjare, shikojmë njerëz që na shohin çuditshëm dhe pastaj kuptojmë që diçka ka dalë në media por që asgjë nuk është e vërtetë nga të gjitha këto. Jemi shokë të mirë dhe e gjithë kjo telenovela mediatike unë shpresoj që të shërbejë për të pasur lajme por që nuk ka asnjë bazë të vërtetë dhe asnjëherë as unë as ai nuk jemi ndikuar nga ato që thuhen në media”, tha Balluku.


Shtuar 13.09.2022 12:05