Komisioni Europian ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes mes kryeminsitrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministres italiane, Georgia Meloni, për të ngritur në vendin tonë dy kampe refugjatësh.
Me anë të një reagimi për mediat italiane një zyrtar i KE ka theksuar se kjo marrëveshje duhet të respektojë rregullat e vendosura nga BE.
“Ne jemi informuar për këtë marrëveshje, por nuk kemi marrë ende informacion të detajuar: marrëveshja operacionale duhet ende të përkthehet në ligj nga Italia dhe të zbatohet më tej. Është e rëndësishme që çdo marrëveshje e tillë të respektojë plotësisht të drejtën e BE-së dhe ndërkombëtare”, tha një zëdhënës i BE-së për mediat italiane.
Menaxhimi i dy kampeve të emigrantëve në Shqipëri do të jetë italian, sipas kritereve të BE-së, shpjegoi kryeministri shqiptar Edi Rama, i intervistuar nga Bruno Vespa në “Pesë Minutes”.
“Po, menaxhimi do të jetë italian, ka një protokoll shumë të saktë, është një qendër pritjeje, një vend për të kryer kontrolle dhe regjistrime, gjithçka bëhet sipas kritereve shumë të sakta të BE-së”, tha Rama. “Kjo marrëveshje – nënvizoi ai – vjen thjesht nga mirënjohja që ekziston gjithmonë tek unë, tek të gjithë ne shqiptarët, ndaj Italisë, kur Italia kërkon t’i jepet një dorë, ne jemi gati ta japim”.