Iu rikthye vjedhjes sapo përfitoi nga amnistia/ Balla vizitë në DVP Korçë: Nuk i ka rezistuar tundimit! Ata që përfitojnë të mos e marrin si dobësi

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ishte sot në një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë në Korçë. Balla iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve, teksa u pyet edhe për rastin e Ardian Isufit, i cili sapo u lirua nga burgu i Drenovës prej amnistisë së përgjithshme, menjëherë kreu një tjetër vjedhje, por më pas u kap nga policia në Tiranë.

Balla thotë se kjo është edhe një nga arsyet e vizitës së tij në DVP Korçë.

‘Kjo është një prej arsyeve të beftë të vizitës time në DVP Korçë. Gjej rastin ti përgëzoj për reagimin e menjëhershëm, ju e dini që amnistitë janë gjithmonë të mirëpritura dhe qeveria shqiptare i propozoi kuvendit pikërisht ndërmarrjen e një hapi të tillë por ne e dimë që në këto raste pas amnistive, ekziston mundësia për ti rikthyer përsëri aktivitetit të tyre kriminal. Rasti që përmendët është person i të njëjtës vepër penale dhe nuk i ka rezistuar tundimit. Por kjo nuk do të thotë që policia nuk e ka vigjilencën e duhur dhe i gjithë operacioni për ta rikthyer në qeli është bërë nga DVP Korçë falë inteligjencës policore dhe veprimeve të menjëhershme’, u shpreh Balla.

Ministri bën thirrje që personat që amnistohen ta respektojnë këtë në të mirë të shoqërisë dhe jo të rikthehen tek veprat e mëparshme.

‘Në këtë aspekt dua tju rikujtoj personave që kanë përfituar nga amnistia që është në të mirën e tyre që dorën e ngrohtë të shoqërisë përmes amnistisë mos e marrin si dobësi por si mesazh që ti rikthehen një jete normale larg veprave penale. Policia e shtetit në komunikim me drejtorinë e përgjithshme të burgjeve po administron të gjithë emrat e personave që janë përfitues dhe do të ketë një monitorim të secilit prej tyre në mënyrë që të shmangen ngjarjet kriminale’, vijoi më tej ministri.

Balla dha edhe një koment lidhur me protestën e Rithemelimit para bashkisë së Tiranës. Ai u shpreh se arsyen e protestës e dhanë vetë protestuesit të cilët bënë thirrje që të lirohej Sali Berisha i cili prej dhjetorit të 2023 ndodhet në arrest shtëpie për aferën Partizani.

“Besoj që protestuesit sot e dhanë vetë përgjigjen e arsyes së protestës kur gjatë protestës thirrjet ishin “Lironi liderin e opozitës”, kështu që në këtë aspekt besoj e kuptoni që këta nuk kanë hallin që i referoheni ju, por kanë hallin e vet”, tha Balla.

Sa i përket turizmit Balla thotë se tashmë Shqipëria është një vend i sigurtë pa ngjarje kriminale për turistët ku ata e ndjejnë veten si në vendin e tyre. Më tej ai shtoi se po bëhen përgatitje për mbarëvajtjen e duhur të festës së Pashkës javën tjetër.

‘Arsyeja e dytë e këtij takimi ka të bëjë me një moment të rëndësishëm që e kthen Korçën në kryeqytetin e festës së Pashkëve. Javës tjetër kemi të gjithë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e kësaj feste. Jo vetëm qytetarë nga gjithë Shqipëria do ti drejtohen Korçës por gjithashtu vëllezërit dhe motrat në Greqi rikthehen për festa. Pas këtij takimi bashkë me drejtorin e DVP Korçë do ikim në Kapshticë për tu takuar me autoritetet shqiptare dhe homologëve grekë për masat e marra në kohë për të shmangur trafikun’, theksoi Balla.


Shtuar 26.04.2024 17:28