Ish-kreu i KMSH në VOA: Ka shumë presion për xhaminë e Namazgjasë, nëse nuk e mbyllin turqit, e mbaron vetë komuniteti

Punimet në xhaminë e Namazgjasë duhej të kishin përfunduar për 2 vite por ato kanë mbetur pezull prej kohësh tashmë për shkak të “ngërçit” me qeverinë turke.

Në një intervistë të dhënë për VOA, Ish-kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj u shpreh se nëse nuk përfundohet në kohë nga turqit brenda afatit, KMSH i ka forcat që këtë objekt kulti ta përfundojë i vetëm.

Bruçaj theksoi se xhamia nuk po bëhet nga qeveria turke, por me ndihmesën e vëllezërve myslimanë në Turqi ndërsa shtoi se është një objekt kulti që nuk mund të bëhet pjesë e pazareve politike apo pjesë e strategjive të një shteti të huaj për të rritur influencën në vendin tonë.

“Fillimet e punimeve ishin atëherë kur isha unë në detyrë kryetar. Në një vizitë që pata në Turqi, i pata thënë ish-kryetarit të Komunitetit Mysliman të Turqisë që duhet të filloni punimet e xhamisë së Namazgjasë se edhe unë për vete kam kontribuar. Dhe janë bërë disa herë thirrje në Turqi. Xhamia bëhet me ndihmesën e vëllezërve myslimanë turq. Edhe xhamia duhej të mbaronte për dy vjet. Besoj se kontrata këtë verë mbaron. Nëse nuk e përfundojnë, KMSH i ka forcat për ta mbaruar. Xhamia është një objekt kulti, nuk mund të bëhet pjesë e një pazari politik e as e një strategjie kombëtare të një shteti të huaj për të rritur influencën e vet,” tha ish-kreu i KMSH.


Shtuar 21.01.2022 19:59