INSTAT: Në Shqipëri, mbi 740 mijë automjete

Shqipëria regjistron çdo vit më shumë automjete në qarkullim. Por ajo që vihet re është mosha e madhe e prodhimit të mjeteve ku 54 % e tyre që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë janë 11 deri në 20-vjeçare.

Referuar të dhënave të INSTAT gjatë vitit 2021 në Shqipëri rezultojnë 740.669 mjete, nga 676.811 të tilla në vitin 2020, duke u rritur me 9.4 %.

Afro 64 mijë automjete janë regjistruar për herë të parë në Shqipëri gjatë një viti.

Përqindjen më të madhe të automjeteve në rrugë e zënë autoveturat me 80 %, e ndjekur nga mjetet për transport me 6.7 % dhe motorët me 5.1 %.

35% e automjeteve qarkullojnë në Tiranë. Kryeqyteti regjistron 259 mijë mjete rrugore.

Shqiptarët vijojnë të preferojnë më shumë automjetet me naftë. Deri në Dhjetor të vitit 2021 në 73,6 % të rasteve mjetet në qarkullim kanë qene me lëndë djegëse “Naftë”, e ndjekur nga autoveturat që përdorin lëndë djegëse “Benzinë” me 17,3 %.

E ndërsa mania e shqiptarëve për të blerë automjete nuk ndalet, po ashtu edhe zhurmat e shkaktuara nga përdorimi i borisë dhe jo vetëm vijon të krijojnë ndotje akustike. Edhe pse Kodi Rrugor e përcakton qartë ndalimin e përdorimit të borisë në zonat urbane, në Shqipëri ndodh krejt e kundërta.


Shtuar 14.10.2022 17:37