Goldi Halili zbulon disa nga surprizat e festës së Tiranës: I ftojmë të gjithë të na bashkohen në “Selman Stërmasi”

Tirana do të ngrejë sot trofeun e kampionit të Abissnet Superiore për sezonin 2021-2022, me titullin që matematikisht ka disa javë që e ka siguruar.

Duke folur për emisionin “Gol pas Goli” vajza e Presidentit të “bardhebluve” Refik Halilit, Goldi Halili, e cila merret veçanërisht me marketingun e klubit të Tiranës, falenderoi “Supersportin” për punë e bërë në kampionatin shqiptar.

“Faleminderit për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur deri tani, ju jeni vlerë e shtuar për kampionatin tonë”, tha ajo

Më tej Goldi theksoi se Tirana do të bëjë festë të madhe sot, ndërsa i ftoi të gjithë të bashkohen me ta në “Selman Stërmasi”.

“Kjo është një festë shumë e madhe për ne dhe dyert e stadiumit janë të hapura për këdo që do të shohë këtë ndeshje dhe për festën e madhe. Ne ju kemi marrë Vilma Mashën, do të jetë ajo që do të moderojë në shtëpinë e kampionëve dhe Ledio Lako, ndërsa do të ketë dhe shumë surpriza të tjera, pasi sot do të performojnë këngëtarë si Klajdi Haruni, Bojken Lako, Ronela Hajati dhe shumë te tjerë, që jo Vetëm në shpirt janë “bardheblu”, por që janë një vlerë e madhe e artit tonë”, shtoi ai.

Ndërsa, sa i përket garave të Europës, Goldi theksoi se puna ka nisur dhe shpresojnë për një ecuri pozitive.

“Planet për Europën janë të mirëfillta, ka nisur puna shumë herët, shpresoj që të ecim mirë”, deklaroi Goldi Halili.