FOTO/ I shpëtoi breshërisë së kallashnikovit, ky është shënjestra e atentatit në Selitë

Personi në foto është Zamir Kalemi, shënjestra e atentatit të ndodhur pak para mesnatës, 12 janar, te rrethrrotullimi i Selitës.

Ai është vëllai i Andrea Kalemit, një emër i njohur për drejtësië shqiptare dhe atë greke.

Ishte ora  22:55 minuta dhe Zamir Kalemi ka qenë duke lëvizur me makinën e tij, Smart, kur nga një mjet tjetër në lëvizje është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Duket se nga të shtënat i riu ka humbur kontrollin duke përplasur makinën me anësoren e rrugës.

Fillimisht u raportua se Kalemi kishte marrë një plumb në këmbë, por Albeu.com mëson se e kanë kapur më shumë plumba dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Traumës.

Disa minuta pas ngjarjes, policia gjeti një makinë të djegur në Bërzhitë, që dyshohet se është e autorëve. Brenda në makinë është gjetur dhe një kallashnikov.

Zamir Kalemi

 

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes” informoi policia e Tiranës. Një nga pistat e hetimit të atentatit të sotëm është vijimi i sagës së vrasjeve të 2022 Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papa. Vëllai i tij, Andrea Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor të 2022, ndërsa Sadikaj i cili mbeti i vrarë në qershor të po këtij viti ishte kushëriri i vëllezërve Kalemi./albeu.com


Shtuar 13.01.2024 07:42