Ende mister fati i Martinajt, oficeri Jeton Lami lirohet nga burgu. Natën e zhdukjes çoi “mbretin e lotove” në Vorë

Oficeri i Operacionales në Policinë e Shtetit, Jeton Lami është liruar nga burgu, edhe pse misteri i zhdukjes së Ervis Martinajt gushtin e vitit 2022 nuk është zgjidhur.

Lirimi i tij nga qelia është bërë për shkak të përfundimit të masës së dënimit me 2 vite e 10 muaj burgim, të dhënë nga gjykata e Lezhës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Ky vendim dënimi kohët e fundit është lënë në fuqi dhe nga gjykata e Apelit Tiranë.

Por për shkak të vuajtjes së plotë të dënimit me burg, gjykata e Apelit mësohet se ka urdhëruar shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” të vendosur në fund të muajit Gusht 2022 ndaj Jeton Lamit.

Mësohet se aktualisht ish-oficeri i skuadrës operacionale “FAST” në policinë e Shtetit, është i lirë.

Jeton Lami ishte personi dhe polici i fundit që natën e zhdukjes të 6 Gushtit, transportoi me një “Audi” Ervis Martinaj nga Tirana në Vorë. Lëvizjet e fundit të Martinaj nën shoqërinë e Jeton Lamit, janë identifikuar në ambientet e një hoteli me Sadete Kokomanin.

Martinaj është larguar më pas nën shoqërinë e një automjeti tjetër në zonën e Shijakut, dhe pikërisht në këtë zonë humbin të gjitha gjurmët e tij.

Gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit të dosjes, oficeri Jeton Lami asnjëherë nuk pranoi akuzën e prokurorisë apo qoftë të flasë lidhur me fatin e zhdukjes së Ervis Martinaj mes zonës së Vorës dhe Shijakut.

Jeton Lami, ka folur se gjatë kohës kur transportonte Ervis Martinaj, ai nuk ka pasur dijeni se biznesmeni i lojërave të fatit, ishte shpallur në kërkim me vendim gjykate.

“…në kuadër të ushtrimit të detyrës unë nuk kisha dijeni zyrtare që ndaj shtetasit Ervis Martinaj është vendosur masa “arrest në burg”, në mungesë, në datën 17 Maj 2022. Në dosjen gjyqësore të prokurorisë, nuk ka asnjë provë shkresore apo me dëshmitarë që të provojë se Jeton Lami ka dijeni zyrtarisht dhe në formën e kërkuar nga ligji…”-është shprehur Jeton Lami para gjykatës.

Nisur nga kjo situatë ai ka kërkuar të shpallet dhe deklarohet i pafajshëm nga gjykata.

Sipas specialistit të skuadrës operacionale të kërkimit “FAST”, detyra funksionale e tij, ka qenë ajo e ndalimit të personave të cilët kërkoheshin nga shtete të tjera për qëllime ekstradimi apo të dënimeve që ata kanë marrë në shtetet jashtë Shqipërisë.

“…unë kurrë nuk kam marrë një detyrë nga shefat e mi për arrestimin e Ervis Martinaj dhe kurrë nuk i jam shmangur çdo detyre që më është ngarkuar gjatë kohës që isha pjesë e policisë…” – ka preteduar Jeton Lami.

Nga ana tjetër prokuroria ka tentuar disa herë të pengojë dhe bashkëpunojë me Jeton Lamin, por ofertat janë refuzuar nga ky i fundit. Sot pas 1 viti e 3 muaj nga zhdukja e Ervis Martinaj nuk dihet asgjë rreth fatit të tij.


Shtuar 24.11.2023 12:43