Në prangat e policisë së Tiranës ka rënë 26-vjeçari Stivi Filollo, i cili ishte shpallur në kërkim nga shteti italian.
Ai u arrestua në sajë të një operacioni të shtrirë në disa shtete.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit, pjesëmarrëse në një tjetër operacion ndërkombëtar për goditjen e grupeve kriminale.
Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Grand Tour” u kap në Tiranë një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Kapja e personit u bë falë bashkëpunimit të FAST Albania me strukturat e DVP Tiranë.
Operacioni policor i koduar “Grand Tour” u zhvillua në disa shtete, në kuadër një hetimi të nisur nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Torinos, Itali, kundër një grupi të organizuar kriminal.
Në Shqipëri u angazhuan FAST Albania dhe strukturat e DVP Tiranë.
Në rrugën “Haxhi Dalliu”, Tiranë, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit S. F., 26 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Ky operacion është finalizimi i një hetimi të nisur nga Njësia Hetimore e Karabinierëve të Torinos, Itali, kundër një grupi të organizuar kriminal, me aktivitet në disa shtete të ndryshme.
Hetimet janë koordinuar nga zyra e Prokurorit Publik të Drejtorisë Antimafia, autoritetet sllovene dhe EUROJUST.
Edhe në këtë operacion, Policia e Shtetit tregoi besueshmëri dhe profesionalizëm, duke u radhitur si e barabartë me policitë homologe që ishin pjesë e operacionit.