Ekzekutimi i Bejtjas në oborrin e shtëpisë, Fushë Kruja në “shtet rrethim”, kontrolle të befasishme në mjete të dyshimta

Që nga vrasja e Gentjan Bejtjas, më 15 mars,  Fushë-Kruja dhe rrethinat janë vënë në fokus të kontrolleve të policisë.

Postoblloqe policie të mbështetur nga forcat speciale janë ngritur në akset që përshkojnë këtë qytet.

Madje në qarkullim janë edhe disa grupe të lëvizshme të shqiponjave dhe FNSH të cilët patrullojnë në të gjitha rruget dytësore dhe rurale duke bërë kontrolle të befasishme në mjete të dyshimta.

Ndërkohë ditën e sotme policia ka zbardhur atentatin ndaj Bejtjas.

Policia e Tiranës, konkretisht Drejtoria e Krimeve të Rënda, ka arritur që të zbardhë ngjarjen e rëndë duke arrestuar dy nga autorët, Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari.

Asnjëri prej të arrestuarve  nuk janë treguar bashkëpunues me hetuesit. Ata nuk kanë pranuar të japin detaje të personave të tjerë të përfshirë.

Makina e autorëve pasi është identifikuar nga kamerat e sigurisë është gjurmuar nga hetuesit në afërsi të zonës së Lundrës në një lavash, ku Haxhiu e ka dërguar për tu larë por është ndërhyrë dhe është arrestuar.

Sakaq, njëri prej të arrestuarve për ekzekutimin e Bejtjas, konkretisht Ilir Beqaraj, rezulton të jetë kushëriri i Ylli Brahimit, krahu i djathtë i Ervis Martinajt, i zhdukur që prej gushtit 2022.

Ylli Brahimi është përfolur shpesh si krahu i djathtë dhe një prej personave më të besuar të Martinajt. Ai nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2003, ai ishte dënuar për trafik droge, ndërsa u ka shpëtuar edhe dy atentateve më parë.

Atentatet ndaj Ylli Brahimit

Më 14 janar 2021, Ylli Brahimi i ka shpëtuar një atentati në qendër të Milotit. Ai ka qenë duke ecur i shoqëruar nga dy persona, kur 2 persona me motor qëllojnë me armë në drejtim të tij. Ylli Brahimi mbeti i plagosur nga ky atentat.

Më 22 korrik 2022, Ylli Brahimi i shpëtoi sërish një atentati, por u vra Klisman Preçi. Të dy po ktheheshin në shtëpi me makinë të blinduar, kur u qëlluan me breshëri kallashnikovi./albeu.com


Shtuar 20.03.2024 21:19