Edita Tahiri me superlativa për Berishën: Shkëlqimi kombëtar i tij është i paprekshëm

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Edita Tahiri ka reaguar për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të mos lejuar hyrjen në SHBA të ish-kryeministrit Sali Berisha bashkë me familjarët e tij.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, zonja Tahiri shkruan se shkëlqimi kombëtar i Sali Berishës është i paprekshëm.

“Ai mbetet një lider historik i kombit shqiptar sepse vuri kombin mbi të gjitha. Udhëhoqi me vizion dhe vendosmëri drejt Shqipërisë demokratike dhe euro-atlantike dhe aleancës strategjike me Amerikën, duke bërë kthesën historike nga komunizmi në demokraci”, shkruan ajo.

“Solli lirinë për popullin duke i dhënë fund totalitarizmit që kishte pllakosur Shqipërinë për dekada. Por, mbi të gjitha Sali Berisha mbrojti dhe avancoi interesat kombëtare duke i dhënë mbështetje gjysmës tjetër të kombit të mbetur padrejtësisht nën dominimet e huaja. Njohja e hershme e pavarësisë së Kosovës, dhe mbështetja e vazhdueshme për luftën tonë për liri e pavarësi ka qene një shtylle e forte për neve udhëheqësit e pavarësisë së Kosovës. Askush nuk mund ta cenojë atdhetarinë e Sali Berishës. Nuk ka lider pa gabime, por liderët që shkruajnë historinë e kombit mbeten ne faqen e ndritshme të historisë”, përfundoi ajo.


Shtuar 20.05.2021 15:44