Gjykata vendos “arrest me burg” për Alqi Bllakon

Ish-deputeti socialist Alqi Bllako ka dalë sot para gjykatës dhe është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Bllako është vënë nën akuzën e korrupsionit, falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Zhdukja e tij pa gjurmë pas dhënies së vendimit të Gjykatës për ta vënë pranga, krijoi idenë se ai kishte marrë arratinë për t’i shpëtuar qelisë, por më pas uniformat blu zbuluan për median se Blloko ishte dorëzuar.

Faktet që dëshmojnë kundër ish deputetit

Ligjvënësi që u dorëhoq dhe tashmë është i arrestuar, Alqi Bllako, do të përballet me drejtësinë për akuzat e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, që bazuar në hetimet e SPAK-ut, e implikojnë atë si të dyshuar në aferën e inceneratorit të Fierit.

Po në dosjen hetimore, del se deputeti ka kryer udhëtim me avion drejt Italisë së bashku me Klodian Zoton, ish-administratorin e inceneratorit të Fierit.

Ndaj të dyshuarit janë dy pozicionet e detyrave që mbajti, njëra prej tyre, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, në kohën kur ky institucion drejtohej nga Lefter Koka, tashmë nën dy masa arresti për këto afera dhe tjetra, kur drejtonte AKUM-në, ku sërish dyshohet se ka firmosur gjatë kësaj kohe për çështje që e lidhin me Fierin.

SPAK-u këmbëngul se Alqi Bllako, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka qenë në dijeni të plotë të vlerësimit të shpronësimit në kundërshtim me ligjin. Si rrjedhojë, sipas SPAK-ut, në bashkëpunim Koka dhe Bllako kanë lejuar ardhjen e pasojës që ka sjellë shkaktimin e dëmit prej 16.288.000 lekësh.

Sipas dokumenteve që ka sekuestruar Prokuroria, bëhet me dije se procedura e shpronësimit të truallit u krye në kundërshtim me ligjin dhe se anëtarët e Komisionit nuk morën pjesë në këtë procedurë. Ata nuk kanë gjithashtu dijeni për këtë gjë.

Ka një korrespondencë, thotë SPAK-u, në dosjen hetimore, që është mbajtur me zyrën vendore të regjistrimit të pasurive me kryetarin e Komisionit, Pëllumb Abeshi.

Më pas, kjo listë për tokën truall u nënshkrua së bashku me relacionin nga drejtoresha juridike dhe u miratua nga Alqi Bllako. Pikërisht këtu është kapur hetimi, duke aluduar se ky fakt ka orientuar gabim edhe kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashin, që procedoi sipas shkresave, duke kryer edhe pagesat përkatëse për subjektin përkatës referuar çmimit real që ai posedonte për tokë-arë.

Likuidimi mësohet se është kryer për një periudhë 2-vjeçare, por ndërkohë thuhet nga hetimi se, për shkak të shkresave që në nisje të procedurës kur Bllako ishte sekretar i Ministrisë, SPAK ka fiksuar si fakt se babai i tij, Edmond Bllako, u punësua si drejtor kantieri nga kompania koncesionare, duke i dhënë një pagë prej 6 mijë eurosh në muaj./albeu.com