Instituti i Mjekësisë Ligjore ka kryer ekspertizën për 3-vjeçaren e dhunuar më 1 nëntor nga edukatorja në kopshtin privat “Stinët”.
3-vjeçarja ndodhet në spitalin e Traumës me këmbë të thyer, por rrethanat nuk janë sqaruar ende nga organet kompetente.
Në një njoftim për mediat, Instituti i Mjekësisë Ligjore thotë se ekspertimi është kryer me datë 7 nëntor dhe një ditë më pas, rezultatet i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës, e cila po vijon hetimet.
“Në lidhje me ngjarjen e fëmijës 3 vjeçe që është dëmtuar në një kopësht privat ju bëj me dije se, vendimi për kryerjen e ekspertimit për fëmijën e sipërpërmendur ka ardhur në 07.11.2023, në IML ( rreth orës 13.30) dhe menjëherë kemi ndërmarrë veprimet për kryerjen e aktin të ekspertimit. Dje, në datë 08.11.2023, akti i ekspertimit i fëmijës u krye dhe u nis po dje, për në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftim.
Në pamjet që janë publikuar nga ambientet e brendshme të kopshtit, duket edukatorja Majlindja Dehima, e cila qëllon me vizore dhe me shpulla 3-vjeçaren. Emisioni investigativ ‘STOP’, publikoi pamjet nga dhoma e gjumit, të 1 nëntorit, ditë kur fëmija ka përfunduar në spitalin e Tarumës me këmbë të thyer. Në materialin filmik dëgjohen të sharat e edukatores ndaj të miturës, më pas një kërcitje që mendohet se është zhurma e thyerjes së kockës dhe më pas të qarat e vajzës.
Prokuroria e Tiranës ka vënë në hetim edukatoren Mjalinda Dehima, si edhe 3 policë janë pezulluar nga detyra pasi nuk kanë këqyrur si duhet pamjet e kamerave. Edukatorja në polici ka deklaruar se e ka goditur vajzën 3-vjeçare, me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim. Edukatorja ka thënë se e ka kuptuar se vajza kishte dëmtuar këmbën dhe pretendon se mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira. Majlinda Dehima gjithashtu është shprehur se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit privat për rastin.
Pas historisë së dhimbshme dhe të mistershme, Ministria e Arsimit reagoi duke zbuluar një fakt edhe më të rëndë, se kopshti “Stinët” është i pa licencuar, pra e ushtron veprimtarinë e tij në paligjshmëri. Vetëm pas denoncimit të prindërve dhe bërjes së rastit publik, kopshti është mbyllur.