Nis procesi i dezinsektimit kundër mushkojave që do të përfshijë të gjithë vendin. Program kombëtar ka si synim parandalimin e sëmundjeve infektive që transmetohen nga mushkonjat në territoret me pushues. Procesi ka nisur nga Shiroka në Shkodër nga punonjës të Institutit të Shëndetit Publik dhe operatorë të kujdesit shëndetësor. E shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Ministrja e shëndetësisë Albana Kociu tha se ky proces do të përfundojë në muajin tetor në të gjithë Shqipërinë, ku krahas evidentimit të zonave ku ka larva mushkonjash, do të bëhet edhe procesi i dezinsektimit.
“Kemi ardhur me gjithë strukturat përgjegjëse për të filluar programin kombëtar që i dedikohet uljes së dendësisë së mushkonjave në territoret ku kemi pushues, sidomos në Shkoder të cilën jam e sigurt që këtë vit do jetë destinacion turistik jo vetëm për pushuesit vendas, por edhe për të huajt”.
Monitorimi entomologjik i vazhdueshëm do të kryhet çdo dy-tre javë, në varësi edhe të situatës. Pas Shkodrës procesi i dezinfektimit do të vijojë me të gjitha qytetet e tjera që kanë vijë bregdetare dhe që kanë zona të nxehta sa i përket intensitetit të mushkonjave.
“Nga Shkodra do të shkojmë në Lezhë do të zbresim në Durrës, në Fier do të shkojmë në Vlorë. Pra në të gjithë zonën me një sipërfaqe me mbi 300 hektarë, ku janë laguna, pellgje, ku janë sigurisht edhe kanale apo zona të cilat kanë prezencë të larvave apo të mushkonjave. E gjitha për të siguruar një sezon turistik të qetë”.
Ministrja Kociu kërkoi bashkëpunimin e ngushtë edhe me qeverisjen vendore, për të punuar në mënyrë të koordinuar, me qëllim që të sigurohet një mjedis me kushte higjeno-sanitare të përshtatshme, që siguron për turistë dhe pushuesit një sezon të rehatshëm