Del data, kur nis ulja e kostos së komunikimit celular me shtetet e BE-së

Hapi i parë, qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të paguajnë mesatarisht një të tretën më pak të çmimit që paguajnë sot, “Evropa nuk do të bëhet menjëherë, ose sipas një plani të vetëm, do të ndërtohet me arritje konkrete”, thoshte Robert Schuman, një nga baballarët e Evropës së Bashkuar.

Në ditën e Evropës, Majlinda Bregu, sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në një intervistë për “Zërin” në Kosovë, jep detajet e para të njërës prej arritjeve konkrete për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Prej 1 tetorit të gjithë do të paguajmë 1/3 më pak me telefonat tanë në roaming në Evropë.

*
Zëri: Javën e kaluar u shpall lajmi se çmimet e roamingut ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së do të ulen, duke nisur nga muaji tetor. Çfarë do të thotë ky lajm dhe sa do të ulen saktësisht këto çmime?

Majlinda Bregu: Ne kemi kohë që po e komunikojmë lajmin se nga 1 tetori i këtij viti presim që qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian (BE), ku përfshihen edhe miliona qytetarë të diasporës, të përfitojnë uljen e tarifave roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor (BP).

Por më lejoni të kthehem një hap pas në kohë, për ta shpjeguar më mirë këtë proces të ndërlikuar negociatash, që është ende në proces.

Që prej hyrjes në fuqi në korrikun e 2021-shit, të Marrëveshjes Rajonale të Roamingut në Ballkanin Perëndimor, që mundësoi në rajonin tonë roaming me tarifa 0, “Fol si n’shpi”, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (KBR) nisi të punojë në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, me operatorët e Bashkimin Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, për reduktimin e roamingut edhe mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Pas negociatash të gjata mundësuam më në fund që gjatë punimeve të Samitit BE-Ballkan Perendimor, i mbajtur në dhjetorin e 2022-shit në Tiranë, nënshkrimin, mes operatorëve të telefonisë celulare në BE e BP, të deklaratës së dakortësisë për nisjen e uljes së çmimeve të roaming, brenda vitit 2023, mes vendeve të BE dhe Ballkanit Perendimor.

Janë 38 operatorë telekomunikacioni pjesë e kësaj nisme dhe siç e kemi theksuar që në krye herës, mirëpriten edhe operatorë të tjerët të bëhen pjesë e saj në çdo kohë.

Lajmi i javës së kaluar kishte të bënte me njoftimin se operatorët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor kanë ranë dakord për vendosjen e kufirit maksimal: sa do të kushtojë një Gigabajt (GB) në roaming, duke filluar nga tetori 2023.

38 operatorët e telekomunikacioni, duke respektuar planet e tyre të biznesit, por edhe duke iu përgjigjur thirrjes politike, kanë rënë dakort për të patur një kufi maksimal të unifikuar të çmimit, prej 18 euro për një GB. Dhe e them me kënaqësi të plotë se kjo është është një arritje e madhe.

Aktualisht, ka një larmishmëri paketash të çmimeve të roaming, disa më të ulëta, të tjera më të larta. Kemi raste në BE, ku kostoja për përdorimin e internetit në roaming shkon edhe në 500 euro për GB, ndërsa çmimet standarde shkojnë edhe më lart, deri në 21.000 euro për GB. Sigurisht, disa operatorë do të duhet të reduktojnë çmimet më shumë se të tjerët, pasi paketat e çmimeve nga njëri operator tek tjetri, ndryshojnë. Për të dhënë një shembull më konkretë, në Kosovë çmimet e paketave për përdorimin e internetit variojnë ndërmjet 13 dhe 30 euro për GB në paketat që ata ofrojnë.

Por ajo çfarë është e rëndësishme për ne sot është fakti se me kufirin maksimal që operatorët kanë dakortësuar, qytetarët e Ballkanit Perëndimor, do të paguajnë mesatarisht një të tretën më pak të çmimit që paguajnë sot, përmes paketave të ndryshme, shtesave (add-ons) etj, ndërsa do të përdorin internetin celular kur janë në roaming në vendet e BE-së.

Zëri: Pra e gjithë kjo do të thotë se një gigabajt ynë do të kushtojë 18 euro?

Bregu: Jo, kjo do të thotë vetëm se kufiri i çmimit, pra çmimi maksimal për një GB në ofertat e operatorëve, nuk do të jetë më shumë se 18 euro duke filluar që nga ky tetor. Më pas, në vitin 2026, kufiri i çmimit do të ulet sërish deri në 14 euro, ndërsa në 2028-ën deri në 9 euro. Më duhet ta theksoj se kufiri maksimal nuk do të thotë që ky do të jetë çmimi real që do të paguajnë qytetarët. Patjetër që do të jetë më e ulët, pasi siç e thashë më sipër ne presim një ulje me një të tretën e çmimit mesatar për qytetarët e rajonit tonë.

Kjo marrëveshje do të ndikojë në treg dhe do të nxisë konkurrencën mes operatorëve që janë pjesë e deklaratës, por edhe atyre që nuk janë ende pjesë e saj. Caktimi i këtij cmimi maksimal, do të ndikojë edhe operatorë që ofrojnë paketa me çmime të ulta në këtë moment.

Për shkak të rregullave dhe legjislacionit të konkurrencës së ndershme, operatorët nuk mund të negociojnë haptazi e drej për së drejti çmimet e ofertave. Ajo që ne si KBR mund të bënim, së bashku me Komision Evropian (KE), ishte t’i mblidhnim operatorët, ta nisnim dhe ta lehtësonim këtë proces, ku të gjithë u përfshinë në mënyre vullnetare dhe na besuan rolin e drejtuesit në këto negociata. Nuk ishte arritje e vogël të bindje operatorët që të jepnin një Deklaratë Roaming dhe pastaj të negocionin uljen e kufirit maksimal të çmimeve midis dhjetëra kompanive që kanë qëllim kryesor fitimin.

Është një proces që ende nuk ka mbaruar. Nga tani e deri në tetor presim që operatorët, të cilët kanë sfidat e tyre të biznesit, të përshtasin dhe mundësojnë oferta më të favorshme me çmime dukshëm më të ulëta të roaming për qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Ne sigurisht, do të bëjmë më të mirën që të shtyjmë operatorët të përmbushim/zbatojnë thelbin e kësaj deklarate dhe pres që edhe qytetarët të bëjnë të njejtën gjë gjithashtu.

Zëri: Kuptoj se ky është rezultati i një deklarate që operatorët e telekomunikacionit nënshkruan në Samitin e Tiranës vitin e kaluar?

Bregu: Po, pas një viti negociata të vështira, kulminimi erdhi me nënshkrimin e Deklaratës së Roamingut të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit të mbajtur në Tiranë vitin e kaluar në prani të të gjithë kryeministrave, përfshirë rajonin tonë, dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michelle.

Pas atij nënshkrimi filluam për muaj të tërë negociatat midis të gjithë operatorëve për të arritur në këtë çmim maksimal, lajm ky që shenjon hapin e dytë në këtë proces të vështirë.
Njoftimi i fundit për uljen e kufijve të çmimeve të roamingut të të dhënave përfaqëson hapin e dytë në këtë proces të vështirë.
Dhe tani po hyjmë në një fazë tjetër, më e rëndësishmja dhe më e ndjeshme, dhe ky është procesi i zbatimit të asaj që është rënë dakord, dhe konkretizimi i paketave për qytetarët.
Nuk kemi qenë vetëm në këtë rrugëtim, pasi jemi ndihmuar gjithnjë nga Komisioni Evropian.

Thelbi i misionit të Këshillit të Bashkëpunimit Evropian është të sjellë rajonin tonë më pranë BE-së. Nisma për roaming është pjesë e saj, kontributi ynë në evropianizimin e këtij rajoni. Siç ka thënë edhe një nga baballarët e BE-së: Evropa nuk do të bëhet menjëherë, apo sipas një plani të vetëm, do të ndërtohet me arritje konkrete arritjeve konkrete”.


Shtuar 9.05.2023 12:30