Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi
Në emër të Partisë së Lirisë, kërkoj me forcë që për çështjen e Presidentit Ilir Meta të garantohet në mënyrë absolute transparenca dhe një proces i rregullt ligjor, duke i dhënë fund këtij procesi politik të ndërtuar me qëllim, që sipas meje është montuar që në fillim nga Edi Rama dhe Charles McGonigal dhe synon t’i heqë të drejtën për të siguruar provat që e shfajësojnë nga akuzat politike.
Të lidhura
None found
Siç është bërë me dije, më 23 qershor 2026 ka përfunduar afati i vendosur nga një gjykatë e paidentifikuar në SHBA, e cila ka urdhëruar kompaninë GSIS që për dy vjet të mos i japë asnjë informacion LSI-së për shërbimet dhe pagesat e kryera mes palëve sipas kontratës së 3 shkurt 2016, të regjistruar në SHBA dhe Shqipëri, në respekt të plotë të ligjeve antikorrupsion të të dy vendeve.
Sipas meje, ky vendim, i ardhur si pasojë e kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ka shërbyer vetëm për një qëllim: t’i pamundësojë Z. Meta të sigurojë provat që e nxjerrin të pafajshëm, si edhe të kontrollojë ligjshmërinë e provave që pretendohet nga akuza.
Meqë nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje Meta–GSIS, por me LSI–GSIS, është detyrë e jona, PL (LSI), të këmbëngulim me vendosmëri si pranë autoriteteve shqiptare ashtu edhe atyre amerikane, që në zbardhjen e kësaj çështjeje të mos ketë manipulime, pasi vetëm transparenca mund të garantojë legjitimitetin e procesit.
Po publikoj të plotë kërkesën zyrtare dhe urgjente që Presidenti i Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta, i dorëzoi dje gjykatës lidhur me zbardhjen përfundimtare të kontratës mes GSIS dhe LSI, si edhe pyetjet që duhet t’u dërgohen autoriteteve amerikane përmes letërporosive.
3). Në lidhje me korrespondencën e autoriteteve shqiptare të Drejtësisë me Departamentin e Drejtësisë të SHBA për ndihmë juridike lidhur me marrjen e informacioneve/akteve/të dhënave nga GSIS; meqenëse më datë 23 qershor 2026 është plotësuar afati 2-vjeçar i kufizimit të vendosur nga një gjykatë e SHBA dhe referuar e-mail-it të datës 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA:
3/1). Kërkoj nga Gjykata të merret nga Ministria jonë e Drejtësisë kërkesa “për ndihmë juridike”, që Prokuroria ka depozituar në këtë Ministri për këtë kërkesë të posaçme.
3/2). Kërkoj të merren në Ministrinë tonë të Drejtësisë kërkesat nr. 122/2022 dhe 3285/Prot./AH, që Ministria jonë e Drejtësisë i ka dërguar Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
3/3). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA paraqitjen e të dhënave dhe akteve bankare të çdo lloji, që lidhen me ekzekutimin e çdo marrëveshjeje që Partia “Lëvizja Socialiste për Integrim e Shqipërisë” (shkurtimisht në vijim partia “LSI”) ka krijuar, ndryshuar ose modifikuar me personin juridik privat “Global Security and Innovative Strategies, LLC” (shkurtimisht në vijim “GSIS”).
3/4). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA paraqitjen e të dhënave/informacionit, përgjigjen e Grupit McKeon.
3/5). Gjykata t’i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të SHBA sa vijon:
i). Paraqitjen e vendimit gjyqësor datë 23/6/2024 të Gjykatës përkatëse të SHBA, që ka vendosur “…ekzekutimi i kërkesës të palës shqiptare të trajtohej si konfidenciale dhe e padisponueshme për publikun për dy vjet…” (shih e-mail-in datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA).
ii). Paraqitjen e kërkesës së çdo pale të interesuar “për konfidencialitet”, drejtuar po asaj gjykate në SHBA (e cila vendosi me vendimin e saj datë 23/6/2024).
iii). Parantezë! Sipas e-mail-it datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA dhe sipas këtij vendimi gjyqësor, parashikohej që ekzekutimi i kërkesës së palës shqiptare të trajtohej si konfidenciale dhe e padisponueshme vetëm për publikun; por më dt. 15/7/2024 e në vijim, kur ka ardhur ky e-mail në Ministrinë tonë të Drejtësisë, unë nuk isha “palë publike”, por isha person i dyshuar/person nën hetim/palë e interesuar. Prokurori nuk ka pretenduar se aktet e GSIS dhe të Grupit McKeon janë akte sekrete, as nuk ka pretenduar ekzistencën e ndalimeve përkatëse sipas nenit 511 të Kodit të Procedurës Penale.
Deri tani provohet se Prokurori dhe Ministria jonë e Drejtësisë nuk i kanë dërguar Departamentit të Drejtësisë të SHBA sqarime shtesë lidhur me pozitën time procedurale penale më datë 15/7/2024 e në vijim; nuk i kanë kërkuar sqarime Departamentit të Drejtësisë të SHBA nëse shprehja në e-mail-in e datës 15/7/2024 “të tjerëve” përfshinte edhe pozitën time procedurale penale, si person nën hetim, për t’u kufizuar unë me njohjen e akteve përkatëse. Shih nenin 511 të Kodit të Procedurës Penale. Mosveprimi dhe moskryerja e këtyre veprimeve nga Prokurori ka cenuar lirinë time personale.
Pra, në mungesë të këtij informacioni/faktesh/të dhënash/provash nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA, pretendoj se nga data 15/7/2024, kur mbërriti ky e-mail, nuk ekzistonte më një bazë e plotë faktike për aplikimin ndaj meje të masës së sigurimit personal, sipas nenit 228 e vijues të Kodit të Procedurës Penale.
Mosveprimi dhe moskryerja e këtyre veprimeve nga Prokurori ka cenuar të drejtën time për mbrojtje efektive gjatë hetimit penal të kësaj çështjeje, si edhe parimin e kontradiktoritetit, lidhur me njohjen time me të gjitha provat/materialet e çështjes gjatë hetimit penal, sipas nenit 31/a,b të Kushtetutës dhe nenit 34/a, gërma “ë” të Kodit të Procedurës Penale.
Këto dispozita nuk e ndalojnë njohjen time me provat, por lejojnë njohjen time me materialet e çështjes hetimore.
Si rrjedhojë, pretendoj se prej datës 23/6/2026 nuk ka më pengesa për ekzekutimin, nga Departamenti i Drejtësisë të SHBA, të kërkesës së palës shqiptare për marrjen e ndihmës juridike lidhur me aktet/informacionin/provat përkatëse.
iv). Paraqitja e çdo vendimi tjetër gjyqësor nga gjykatat në SHBA që ka disponuar eventualisht për ekzekutimin e letërporosisë, prej datës 15/7/2024 e në vijim.
v). Paraqitja nga GSIS e marrëveshjes (varianti anglisht) datë 03/02/2016 të lidhur nga GSIS (përfaqësuar nga Dennis Burke) me partinë LSI (përfaqësuar nga Petrit Vasili), përfshirë edhe modifikimet/ndryshimet eventuale, me shkrim.
Nëse marrëveshja fillestare ka pasur ndryshime/modifikime, na njoftoni se kur është kryer secili ndryshim/modifikim?
Cili përfaqësues i partisë LSI i ka miratuar ndryshimet/modifikimet eventuale?
Në çfarë forme/mënyre i ka miratuar ky përfaqësues i partisë LSI ndryshimet/modifikimet eventuale?
Në çfarë forme/mënyre e ka njoftuar GSIS ky përfaqësues i partisë LSI për miratimin e ndryshimeve/modifikimeve eventuale?
Bashkëlidhur ju paraqes kopjen e kësaj marrëveshjeje, të poseduar nga partia LSI dhe të regjistruar në organet kompetente në SHBA dhe Shqipëri.
vi). Paraqitja nga GSIS e çdo akti përfaqësimi të partisë LSI për krijimin, ndryshimin/modifikimin ose shuarjen e marrëveshjes së tyre.
vii). Paraqitja nga GSIS e çdo akti financiar që lidhet me ekzekutimin monetar të marrëveshjes, të lidhur mes tyre dhe partisë LSI.
viii). Paraqitja nga GSIS e të gjitha miratimeve/autorizimeve paraprake nga partia LSI për çdo shpenzim të paguar nga kjo parti në dobi të GSIS, mbi 1000 USD.
Paraqitjen e emrit të personit përgjegjës/përfaqësuesit që ka miratuar çdo shpenzim financiar nga partia LSI për t’u paguar në dobi të GSIS, pas çdo fature financiare të dërguar nga GSIS për partinë LSI, sipas marrëveshjes në fuqi.
ix). Paraqitja nga GSIS e informacionit për çdo produkt të punës/veprimtarisë së tyre, në zbatim të marrëveshjes së lidhur me partinë LSI?
Nëse po, kujt ia ka dorëzuar këtë produkt në partinë LSI, kur ia ka dorëzuar dhe në çfarë forme/mënyre ia ka dorëzuar?
A ka caktuar GSIS ndonjë nënkontraktor për zbatimin e marrëveshjes së tyre me partinë LSI? Nëse po, cili është nënkontraktori dhe cili përfaqësues i partisë LSI e ka dhënë pëlqimin?
Nëse GSIS e ka marrë paraprakisht pëlqimin/miratimin e partisë LSI për caktimin e këtij nënkontraktori? Nëse po, të paraqiten prej GSIS të gjitha aktet e miratimit/pëlqimit/autorizimit të partisë LSI për caktimin e tij.
Paraqitja nga GSIS e informacionit se çfarë veprimesh apo produkti ka kryer nënkontraktori eventual për zbatimin e marrëveshjes së lidhur mes GSIS dhe partisë LSI?
x). T’i kërkohet GSIS informacion se kur i kanë mbaruar efektet marrëveshja e tyre me partinë LSI? Ose kur e ka ndërprerë GSIS ekzekutimin e marrëveshjes së tyre fillestare dhe/ose të modifikuar/ndryshuar me partinë LSI?
Cili ka qenë përfaqësuesi i partisë LSI dhe përfaqësuesi i GSIS në rastet e modifikimit/ndryshimit të marrëveshjes së tyre fillestare eventualisht?
Cili ka qenë përfaqësuesi i partisë LSI dhe përfaqësuesi i GSIS në rastet e ndërprerjes/shuarjes përfundimisht të kontratës midis tyre dhe cila është dita e ndërprerjes së kontratës, nëse nuk ka pasur asnjë ndryshim/modifikim nga marrëveshja fillestare e datës 03/2/2016.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/miratimi/autorizimi paraprak me shkrim që GSIS t’i japë akses një pale të tretë në informacionin konfidencial të marrëveshjes së lidhur midis GSIS dhe partisë LSI, përfshirë edhe informacionet për modifikimet/ndryshimet e saj? Nëse po, ju lutem të na dërgoni këto pëlqime/miratime/autorizime.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/miratimi/autorizimi paraprak me shkrim që GSIS të nënshkruajë, në emër të partisë LSI, ndonjë marrëveshje/kontratë tjetër angazhimi apo veprimtarie tjetër? Nëse po, na dërgoni këto pëlqime/miratime/autorizime.
A është dhënë nga ndonjë përfaqësues i partisë LSI pëlqimi/miratimi/autorizimi paraprak me shkrim që GSIS të kthejë dhe/ose të asgjësojë të gjithë informacionin konfidencial të përfituar gjatë zbatimit të marrëveshjes dhe modifikimeve/ndryshimeve të saj të lidhura mes tyre? Nëse po, cili përfaqësues e ka dhënë dhe na dërgoni këto pëlqime/miratime/autorizime?
Nëse GSIS ka kryer asgjësimin e të gjithë informacionit konfidencial, na njoftoni kur është asgjësuar prej tyre dhe çfarë informacioni është asgjësuar?
xi). T’i kërkohet GSIS informacion se çfarë vlerash monetare janë paguar në dobi të GSIS nga partia LSI?
Sa ka qenë vlera totale monetare e faturave bankare që ka ekzekutuar/paguar partia LSI në dobi të GSIS, sipas marrëveshjes së tyre fillestare dhe sipas ndryshimeve/modifikimeve eventuale të saj?
Për çfarë shërbimesh/produkte të kryera eventualisht prej GSIS janë paguar nga partia LSI secili shpenzim?
Cilit person në partinë LSI i janë dërguar/njoftuar nga GSIS secili shërbim dhe faturë e tyre, para se të kryhej pagesa nga partia LSI?
Cilët janë përfaqësuesit e partisë LSI që kanë autorizuar/miratuar pagimin e çdo shpenzimi në dobi të GSIS?
A ka përdorur partia LSI ndonjë fond monetar të paligjshëm ose ndonjë pagesë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në kundërshtim me ligjet e zbatueshme të SHBA, gjatë zbatimit të marrëveshjes së saj në fuqi me GSIS?
Nëse po, cili përfaqësues i partisë LSI e ka autorizuar/miratuar këtë pagesë? Nëse është konstatuar nga GSIS kjo parregullsi eventuale financiare, a është raportuar/denoncuar pranë autoriteteve të SHBA?
xii). Nëse pagesat e shërbimeve/produkteve në dobi të GSIS janë kryer në emër të partisë LSI nga shtetasi Adrian Shatku, kërkoj të paraqitet kontrata mbi bazën e së cilës ai i ka kryer këto pagesa. Na njoftoni se cili përfaqësues i partisë LSI e ka autorizuar/lejuar shtetasin Adrian Shatku të kryejë këto pagesa. Njëkohësisht na dërgoni këto autorizime dhe faturat e pagesave bankare, të kryera eventualisht prej shtetasit Adrian Shatku, përfshirë edhe shërbimet e GSIS të kryera për interes të partisë LSI dhe të paguara nga Adrian Shatku.
3/6). Kjo letërporosi për ndihmë juridike “Marrjen e provave” në SHBA është e ngutshme dhe urgjente, sepse lidhet me lirinë time personale, pasi jam i paraburgosur prej 20 muajsh dhe padrejtësisht, duke cenuar të drejtat e mia të sipërcituara gjatë hetimit penal dhe deri në këtë fazë procedurale gjyqësore, nuk jam njohur me akte/fakte që administrohen/ndodhen në SHBA.
Kjo letërporosi lidhet me faktet dhe rrethanat objekt akuze dhe provon pafajësinë time.
i). Kjo letërporosi për ndihmë juridike “Marrjen e provave” në SHBA t’i dërgohet/niset direkt nga Gjykata në këtë fazë dhe drejtpërdrejt Departamentit të Drejtësisë të SHBA, sipas nenit 509/4 të Kodit të Procedurës Penale dhe sipas ligjit nr. 10193/2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale” (shih nenet e tij 5/3, 6/2).
ii). Për këtë arsye kërkoj që Gjykata të caktojë përkthyes të licencuar dhe të regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë, për t’u paraqitur për betim në një seancë të ndërmjetme dhe për të përkthyer në gjuhën e zbatuar në SHBA kërkesat, pyetjet e mia, kërkesat dhe pyetjet eventuale të prokurorit dhe kërkesat e pyetjet eventuale të Gjykatës. Teksti i plotë i kërkesës t’i dërgohet Departamentit të Drejtësisë të SHBA duke pasur parasysh/referencë përmbajtjen e e-mail-it datë 15/7/2024 të Departamentit të Drejtësisë të SHBA.
iii). Kërkoj që një kopje e kësaj letërporosie, që do t’i dërgohet nga Gjykata Departamentit të Drejtësisë të SHBA, të më vihet edhe mua në dijeni.
iv). Pasi të paraqitet përgjigjja përkatëse prej Departamentit të Drejtësisë të SHBA, kërkoj të administrohet si provë sipas radhës përkatëse procedurale.
Kjo është kërkesa e plotë që Z. Meta i adresoi dje edhe zyrtarisht GJKKO.
Rikthej sërish në vëmendje se, meqë nuk kemi të bëjmë me një marrëveshje Meta–GSIS, por me LSI–GSIS, është detyrë e jona, PL (LSI), të insistojmë me vendosmëri jo vetëm pranë autoriteteve shqiptare por edhe atyre amerikane që në zbardhjen e kësaj çështjeje të mos ketë manipulime, sepse vetëm transparenca mund të garantojë legjitimitetin e procesit.
Edi Rama dhe Charles McGonigal i kanë dëmtuar, cenuar dhe helmuar mjaftueshëm marrëdhëniet strategjike me SHBA.
Pikërisht për këtë arsye, Edi Rama dhe Charles McGonigal janë dy dëshmitarët kryesorë të thirrur nga Z. Meta në proces, pasi ata janë ideatorët dhe komplotistët kryesorë jo vetëm të orientimit politik të hetimeve, por edhe të rrëmbimit dhe mbajtjes në paraburgim të Z. Meta pa asnjë fakt dhe provë penale kundër tij. Ju rikujtoj se dy muaj pas takimit të McGonigal në zyrën e Edi Ramës u aktivizuan edhe kallëzuesit kundër Z. Meta, një çështje që do ta zbardhim para të gjithë shqiptarëve në çdo detaj.
Tani është koha që transparenca dhe triumfi i së vërtetës të korrigjojnë dëmet, dhe ne si Parti e Lirisë kemi vullnetin e plotë për të forcuar miqësinë, aleancën dhe marrëdhënien e fuqishme strategjike me SHBA.
Faleminderit!
