Berisha: Taksat nuk u përdorën për vjedhje me check-upin dhe sterilizimin, ne ndërtuam dhe rikonstruktuam spitalet

Gjatë fjalimit të tij të mbajtur mbrëmjen e sotme në tubimin qytetar, ish kryeministri Sali Berisha e vuri theksin në investimet e bëra gjatë qeverisjes së PD-së.

Berisha tha se, gjatë kohës së qeverisjes së tij, taksat e shqiptarëve u përdorën për të ndërtuar dhe rikonstruktuar spitalet në të gjithë Shqipërinë.

Pas vitit 2013, taksat dhe fondet për këtë sektor u vodhën, ndërsa u futën PPP-të.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Ato para, që vileshin nga taksat tuaja, nuk u përdorën për check-upin e Edi Ramës.

Nuk u përdorën për vjedhjen e tmerrshme të dytë të shekullit me sterilizimin.

Jo miqtë e mi. Në mbarë Shqipërinë, sterilizimi ekzistonte, nuk e shpiku Sali Berisha atë. Atë e kanë praktikuar që nga fillimet e mjekësisë shqiptare në dekada e dekada.

Por nuk ndodhte kurrë që ai proces të kushtojë sa sot, 83 herë më shumë se në vitin 2013.

Jo nuk mund të ndodhte. Nuk mund të ndodhte kurrë që ai proces që ju e paguani me taksat tuaja, të kushtojë sot në Tiranë 4 herë më shtrenjtë se në Berlin, 5 herë më shtrenjtë se në Londër.

Kjo nuk ndodh! Ato para që ju paguanit për sistemin shëndetësor, ato shërbyen për të rritur numrin e barnave të rimbursueshme dhe Shqipëria futi në listë të plotë çdo bar gjenerik që përcaktonte Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ato para u përdorën për të blerë numër të konsiderueshëm skanerësh, akseleratorësh, rezonanca, mjetet më moderne.

T’u tregoj vetëm një ngjarje të shkurtër, qesharake. Porositëm 7 milionë euro dy akseleratorë. Mirëpo ata duheshin të vendoseshin në bunkerë betoni.

Edi Rama shkoi dhe inauguroi gropën e njërit prej tyre për të paraqitur suksesin e shëndetësisë së tij.

Ato para u përdorën për të rikonstruktuar spitalet nga Gjirokastra në Shkodër, për të ndërtuar spitale të reja, urgjenca e të cilit në marrëzi e inauguronte Edi Rama duke pretenduar se ishte investim i tij, dy vite pasi e kishim inauguruar ne.

Pra, dhjetëra e dhjetëra milionë euro u përdorën për rindërtim spitalesh. 22 milionë për spitalin e urgjencës, 50 milionë të tjera u bënë gati për QSUT-në.

Ky ishte përdorimi i taksave tuaja qytetarë.

Por u them një gjë unë prapë, se përmirësime cilësore erdhën në mënyrë të pamohueshme.

Vdekshmëria foshnjore zbriti në nivelet njëshifrore dhe zbriti në nivelet e BE.

Po kështu vdekshmëria amtare.

U lehtësua me tre herë mundësia e vizitave për qytetarët.


Shtuar 16.03.2024 20:12