Berisha reagon ndaj deklaratës së Escobar: Qytetarët opozitarë e kanë treguar se kush është përfaqësuesi i tyre legjitim

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratës së Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel EsCobar, dhënë në një intervistë ku tha se shpresonte që kryesore opozitare ta gjente rrugën e saj. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se i rikujton Escobar se koha më e keqe e shqiptarëve kanë qenë ajo kur opozita ishte e ndaluar me ligj dhe më pas ajo që e ktheu opozitën në një fasadë.

Berisha shton se qytetarët opozitarë me votën e tyre në dy palë zgjedhje pavarësisht manipulimeve, heqjes arbitrare të logos së përfaqësimit, mungesës së plotë të fondeve, komisionerëve dhe numëruesve, kërcënimeve të turpshme, sipas tij, kanë treguar me kurajo se kush është përfaqësuesi i tyre legjitim. Sipas Berishës, ata që kërkojnë opozita të emëruara nuk i shërbejnë demokracisë, por putinizimit.

Posimi i Berishës:

Reagim ndaj deklaratës së Zotit Gabriel Eskobar.

Në një intervistë të tij, dhënë gazetares Ilva Tare, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit z. Gabriel Eskobar ndër të tjera ka deklaruar: “Dhe më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”.

Me këtë rast i rikujtoj z. Eskobar sa vijon: Koha më e keqe e shqiptarëve kanë qenë ajo kur opozita ishte e ndaluar me ligj dhe më pas ajo që e ktheu opozitën në një fasadë. Në një vend demokratik opozita zgjidhet me votë dhe nuk emërohet me kërcënimet e tipit të Enver Hoxhës për të ngrënë bar. Qytetarët opozitarë me votën e tyre në dy palë zgjedhje pavarësisht manipulimeve, heqjes arbitrare të logos së përfaqësimit, mungesës së plotë të fondeve, komisionerëve dhe numëruesve, kërcënimeve të turpshme, kanë treguar me kurajo se kush është përfaqësuesi i tyre legjitim. Ata që kërkojnë opozita të emëruara nuk i shërbejnë demokracisë, por putinizimit.

Sa për kujtesë vitet ‘90 kanë qenë vitet e zgjimit dhe daljes nga diktatura. Vitet kur Partia Demokratike udhëhoqi revolucionin demokratik të përmbysjes së diktaturës më të egër të Hitlerit shqiptar të pas luftës, Enver Hoxhës dhe kalimin e vendit nga monizmi në demokraci. Në atë kohë James Baker do u thonte shqiptarëve: “Ju keni të drejtë të zgjidhni liderët tuaj”! Sa keq që pas 30 vjetesh një burokrat u thotë atyre se nëse zgjidhni atë që dëshironi do të hani bar! Jam i sigurt që shqiptarët dhe demokratët e kanë shumë të thjeshtë zgjdhjen mes këtyre dy modeleve.


Shtuar 21.05.2024 16:18

Tags: