Bëri mediat amerikane të shkruajnë për të, historia frymëzuese e shqiptares në SHBA: Më thoshin se nuk do t’ja arrija

Kur ishte 19 vjeç mbaroi shkollën e mesme “Ismail Qemali” në Tiranë dhe u largua drejt SHBA-ve duke mos pasur asnjë ndihmë. Jonela Hasani kishte ëndërr që të bëhej dikushi në jetë dhe tani pas kaq shumë vitesh në Amerikë, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme.

Nisi të punonte në dy punë por më pas nisi shkollën të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Për të ka shkruar dhe gazeta e njohur amerikane “New York Times”. Gazeta i kushtoi një faqe të veçantë nxënësve të shkëlqyer e mes tyre dhe Jonelës.

Jonela është vlerësuar me cmimin ” Educator of the Year 2022″ nga Organizata e mirenjohur e Grave Shqiptaro-Amerikane ” Motrat Qiriazi” në New York. Jonela sot punon si këshilltare udhëzuese në Departamentin e Arsimit të qytetit të New York-ut.

Ajo dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi peripecitë që ka kaluar deri sa arriti atë që deshi. Gjatë intervistës me Skype, ajo tha se artikulli i gazetës amerikane e nxiti më shumë për të vazhduar ëndrrën amerikane.

“Kam ikur në moshën 19 vjeçare. Kam mbaruar gjimnazin në Ismail Qemali, ku filloi gjithë ndryshimi im. Ardhja këtu ishte një ëndërr. Por realiteti ishte shumë ndryshe. Isha një vajzë e re me ëndrra dhe kur vij në aeroport në New York, ëndrrat mu shuan. Filloi dhe gjithë zanafilla e sakrificave bashkë me vëllain.

Por arritëm të bëjmë diçka në jetën tonë, duke u futur në jetën amerikane. Kur je në atë moshë ke shumë ëndrra dhe thosha se do të bëhem një biznesmene, dhe të punoja në Wall Street. Kam arritur të krijoj të njëjtin vizion, kam pasur shumë këmbëngulje dhe nuk e kam lëshuar ëndrrën time për tu bërë dikush.

Ëndrra ime filloi të ndryshonte nga një biznesmene te një arsimtare. Por në shkollën ku unë sot punoj, ku jam diplomuar, kam bërë dhe një diplomë të dytë, me nota shumë të mira dhe kam dalë në gazetën New York Times, që e mora si një dokument dhe aty fillova të realizoja ëndrrën time.”, tha ajo.


Shtuar 15.04.2022 09:14