Në një agjenci funerale u mbajtën homazhet për poetin Agim Doçi, fitues i mbi 50 çmime në festivale të këngës.
Ai u nda nga jeta për shkak të një hemorragjie cerebrale, ndërsa nuk dihet pse institucionet nuk organizuan homazhet në nder të tij.
Yllka, gruaja e poetit, tha se ai nuk është vlerësuar sa duhet.
‘Agimi nuk është vlerësuar sa duhet. Një mjeshtër si Agim Doçi nuk arriti të merrte as pensionin që i ka takuar prej 11 vitesh. Agimit i është bërë vrasje politike’, tha gruaja.
Ndërsa motra e tij tha: ‘Ai nuk është vetëm vëllai im, është pjesa më e bukur e imja dhe atyre që e jetuan me krijimtaritë e tij. Nuk është se na u ofrua ndonjë për homazhe, mendoj se ai është shumë i kënaqur që donte dashurinë e njerëzve dhe jo të institucioneve’.
Agim Doçi ishte një prej krijuesve të shumë teksteve të këngëve shqiptare. Në festivalet e këngës ishte fitues i mbi 50 çmimeve, krijues i më shumë se 3.000 teksteve të këngëve që janë kënduar nëpër festivale i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot.