Arrestimi i “Escobarit” shqiptar në Stamboll, Dritan Rexhepi u arratis nga Ekuadori pas një gabimi në sistemin e burgjeve

“Pablo Escobari” shqiptar, Dritan Rexhepi u arrestua më 8 nëntor 2023 në Stamboll, falë operacionit të koduar “Kartel”.

Rexhepi kishte arritur të largohej nga Ekuadori me pasaportë kolumbiane, falë një gabimi të sistemit të burgjeve.

Personazhi i njohur si mjeshtri i arratisjeve, duhej të qëndronte brenda Ekuadorit me çip elektronik, pasi u lirua nga dënimi me 13 vjet burg për trafik droge.

Pas largimit të tij nga vendi, hetimet treguan se një person tjetër kishte firmosur në vend të tij sa herë kontrollohej në adresën e banimit, duke i mbyllur sytë policisë. Sa i përket akuzave në Itali, Rexhepi akuzohet për trafikimin e një ngarkese 4 ton kokainë dhe 5.5 milionë euro kesh në vitin 2020.

Gjatë këtij aksioni drejtësia italiane arrestoi 20 bashkëpunëtorë të Rexhepit dhe shpalli në kërkim 11 të tjerë. Në telefonin e njërit prej korrierëve u gjetën mesazhet e shkëmbyera me Dritan Rexhepin që kishte drejtuar trafikun e drogës nga burgu në Ekuador ku mbahej nga viti 2014.

Dritan Rexhepi u arrestua në 8 nëntor në një vilë në lagjen luksoze Beylikdüzü, të Stambollit. Forcat policore turke shqyen derën e banesës ku brenda saj ishte fshehur Dritan Rexhepi, i cili më pas shfaqet i shtrirë për tokë dhe më pas i vihen prangat. Atij iu gjetën edhe pistoletë, euro dhe bizhuteri në një kasafortë.


Shtuar 13.11.2023 09:45