Erliton Ymeri, 37 vjeç, ish specialist në sektorin e hartografisë në ASHK Sarandë, ka lënë dje qelinë e paraburgimit ku ndodhej i arrestuar për “shpërdorim detyre” prej 24 marsit në kuadër të operacionit “Heshtja 2”.
Gjykata e Apelit Gjirokastër ka zëvendësuar masën e sigurimit për të, nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”. Ymeri akuzohet së bashku me 4 kolegë të tjerë, nga të cilët aktualisht dy ndodhen në paraburgim, një në arrest shtëpie e një tjetër në kërkim, kishin legalizuar dhe më pas hipotekuar një lokal në zonën turistike të Sarandës edhe pse për të kishte një urdhër prishje nga IMT. Ishte Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja që deklaroi në një konferencë për shtyp kallëzimin penal të tyre, pas një kompleksi shkeljesh, sipas tij, në rastin konkret.
Të lidhura
None found
Prej shkurtit të këtij viti, Prokuroria e Sarandës në tre raste dhe SPAK në një rast tjetër, nxorën 19 urdhër arreste për zyrtare, biznesmenë e qytetarë të ndryshëm në lidhje me shkelje për çështje pronash në Sarandë. Nga këto urdhër arreste me mase sigurimi “Arrest në burg” u ekzekutuan 12 prej tyre, ndërsa 7 u shpallën në kërkim. Por aktualisht, me vendime të ndryshme të Gjykatave, vetëm 4 ndodhen në masë “Arrest në burg”, 2 në “Arrest në burg me afat 45 ditë” nga të cilat u kanë mbetur edhe dy javë deri në rivlerësim të masës së sigurimit, 6 në “Arrest në shtëpi” dhe 7 në kërkim.
