Prag tragjedie ka qenë ajo që ka ndodhur në Shkodër, ku një 27-vjeçare ka tentuar të vetëmbytej bashkë me katër fëmijët e saj në lumin Buna.
Nëna e vajzës në fjalë, ka thënë në një intervistë në “News24” se ajo ishte nën presion të madh, si pasojë e dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti dhe ndodhej në proces divorci.
Gjithashtu, ajo ka treguar se dhëndri i saj përveç dhunës kishte dhe një lidhje me një tjetër grua me të cilën kishte edhe fëmijë me të.
Ditën e sotme, bashkëshorti i 27-vjeçares, Ajet Isufi, në një lidhje live në emisionin “Me Zemër të Hapur”, ka rrëzuar akuzat e vjehrrës së tij.
Ai tha se nuk ishte në proces divorci me gruan e tij dhe se familja e saj ndërhynte. Ai shtoi se familja e saj nuk donte që ata të ishin bashkë.
Mes të tjerash, ai tregoi se gruaja e tij për shkak të problemeve me familjen kishte tentuar që të vriste veten 3 muaj më parë.
“Isha në polici për të folur për të shkuar te familja Bajrami, që është familja e bashkëshortes. Marrëdhëniet me të i kemi shumë të mira. Unë ika në Mal të Zi për dy muaj në punë. Ajo ndenji për një 2 jave te një shoqe. Më pas ajo e hodhi në rrugë. Më pas gruaja iku te prindërit e saj. Janë shpikje të gjitha, pasi unë nuk jam në proces divorci. Janë shpifje të nënës së gruas time, i vërteton të gjitha sistemi i drejtësisë.
Ata nuk duan që të na shohin mirë. Babai i saj, kemi 9 vite martesë, hyn mes çiftit. Prej tyre nuk kam parë ditë të mirë me sy, as unë dhe as gruaja ime. Nëna thoshte; ik nga aty. Hajde se të mbaj unë me 4 fëmijë. Unë i thoja; ça po thua, se unë jam i martuar. Ne u njohëm në rrjetet sociale. Por ata nuk donin, nuk ishin dakord. Atë ditë që ka ardhur te unë, është nisur me biçikletë për të ardhur te shtëpia ime. Familja e saj na ka shkatërruar. Në atë kohë kur u martuam ne, gruaja ishte 18 vjeçe. Ajo i lajmëroi që do të martohej me mua. Më pas nisi marrëdhënia mes tyre. Babai i saj më kërcënonte me jetë, më thoshte; do të vras. Falenderoj Zotin dhe policinë që më shpëtuan familjen”, tha ai.
Isufi ka treguar detaje nga jeta e tyre në çift. Ai ka rrëfyer se shpesh edhe ka gabuar, duke e akuzuar të shoqen për tradhti bashkëshortore duke shtuar ka qenë xheloz.
Megjithatë, ai mohoi të ketë pasur dhunë psikologjike apo fizike nga ana e tij, kundrejt 27-vjeçares.
“Kam menduar se ka bërë tradhti, kam qenë xheloz. Nuk e kam rrahur kurrë. Shpresoj që gjithçka të bëhet mirë sepse nëse merr fund familja, jeta ime është drejt vdekjes. Kemi pasur debate, por nuk i kemi çuar deri në ekstrem”, u shpreh ai.
Ai ka treguar edhe telefonatën e fundit me bashkëshorten para se të zbulonte aktin e saj. Ai u shpreh se gruaja e kishte telefonuar, duke i thënë “Ajet po të marr për herë të fundit”.
Ai tha se në atë moment ndodhej në Malin e Zi dhe kur hyri në internet sapo pa lajmin kuptoi që bëhej fjalë për gruan dhe katër fëmijët e tyre të mitur.
“7, 5 3 dhe 1-vjeç janë fëmijët. Kam qenë në shtetin malazez dhe hyra në internet kur pashë lajmin që shtetasja **** tentoi të mbytej me 4 fëmijë.
Më ka marrë në telefon rreth 1 orë para ngjarjes, më tha ‘Ajet po të marr për herë të fundit’, ndaj më shkoi në sekond mendja tek gruaja. Për shkak të familjes së saj, sepse ka pasur debate me ta, ka tentuar edhe të vetëvritet rreth 3 muaj më parë.
Kisha dy javë që isha larguar. E vuri në lojë shoqja e vet, i tha hajde se të mbaj unë”, tha ai.