U rikthye në kopertinën e revistës “V”, Penelope Cruz intervistohet nga Dua Lipa

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa, ka intervistuar aktoren e njohur të Hollywood-it, Penelope Cruz.

Pas 13 vjetësh shkëputje, Cruz është rikthyer në ballinën e revistës prestigjioze “V”.

Përmes një postimi në Instagram, Dua ka treguar se ka intervistuar shoqen e saj, ku Cruz ka treguar rreth projektit të ri filmik, të titulluar “Ferrari” si dhe bashkëpunimin me regjisorin e mirënjohur spanjoll,  i cili është shok i Duas po ashtu, Pedro Almodovar.

Përgjatë intervistës, Cruz ka treguar se është e dedikuar të hedhë dritë mbi personalitetet që i portretizon nëpër filmat që luan.

“Kam pasur mundësi të shëroj shumë trauma përmes punës që bëj. Nuk është se dua ta përdor si ndonjë lloj terapie, por ndodh natyrshëm. Në njëfarë mënyrë ndiej se aktrimi më ndihmon shumë”, ka thënë Cruz.

Më pas ylli ka treguar se si kur ka qenë e vogël ka dëgjuar kompozitorët e muzikës klasike si Beethoven e Tchaikovsky. Këto vepra muzikore ka vlerësuar se e kanë ndihmuar shumë të përgatitet për skenat që duhej t’i interpretonte në punë.

Ndërkohë Lipa e ka pyetur aktoren se a ka qenë ndonjë artist specifik apo këngë që e ka ndihmuar ta luajë rolin e “Laurës” në filmin e ri “Ferrari”.

“Për ‘Laurën’, ka pasur shumë vepra për shkak të lidhjes që ka pasur pikërisht me operën. ‘Laura’ është në depresion për shkak se e dëgjonte operën nga dritaret, dhe e dinte se Enzo (personazhi tjetër i filmit) është atje me ndonjë tjetër grua”, ka shpjeguar Cruz.

Në numrin e ri të revistës amerikane “V”, Cruz shfaqet me stil të sofistikuar duke u veshur tërësisht me ngjyrë të zezë.


Shtuar 2.03.2024 13:05