The Herald Sun: Riviera shqiptare një alternativë e shkëlqyer për pushime!

Ekspertja e “Doc Holiday Travel Co.”, agjencia kryesore e udhëtimeve në Bentonville, SHBA, Dilvin Yasa beson se Italia do të jetë e mbipopulluar këtë verë për shkak të Lojërave Olimpike të Parisit dhe se turistët duhet t’i afrojnë udhëtimet e tyre në muajin maj, sipas të përditshmes australiane “The Herald Sun”.

Mbipopullimi është një problem i zakonshëm në destinacionet kryesore evropiane gjatë muajve të verës, prandaj rekomandohet gjithmonë që vendet si Italia apo Franca të vizitohen përgjatë prill-majit ose shtator-tetorit.

“Lojërat Olimpike të Parisit zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht, kështu që duhet të vendosni për udhëtimin tuaj, me kusht që të niseni në fillim të majit, pasi ka të ngjarë të hasni turma të mëdha në qershor, që është edhe piku i sezonit”, tha Yasa.

“Doc Holiday Travel Co.” ka sugjeruar destinacionet më pak të populluara si Riviera Shqiptare, Arkipelagu i Maltës, Liqenet e Lazios, rajonet Langhe dhe Lombardi, Treviso dhe Urbino.

Shqipëria

Riviera Shqiptare është një alternativë e shkëlqyer dhe jashtëzakonisht e përballueshme (krahasuar me Rivierën Italiane), me plazhet e saj të pacënuara me ujërat bruz dhe peizazhin mahnitës me fshatra dhe rrënoja antike.

Vizitoni zonat bregdetare piktoreske të Ksamilit, Sarandës, Himarës dhe Dhërmiut për të krijuar një ide se si mund të kalohen pushimet dhe bëni një udhëtim ditor në ishullin e Korfuzit, i cili është vetëm një orë larg me traget nga Saranda.